Transmetuar më 14-12-2018, 08:24

Djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja, Rexhep Rraja rrezikon që për një vit të qëndrojë në burg.

Prokuroria e Krujës, ka kërkuar këtë të enjte dënimin me një vit burg për Rexhep Rrajën, djalin e denoncuar për dhunë nga ish e dashura e tij Xhisiela Maloku.

Kjo pretencë e Prokurorisë, vjen pavarësisht se Xhisiela është tërhequr nga denoncimi dhe ka bërë një akt pajtimi te noteri, duke mohuar çdo gjë të thënë, me argumentin se gjithçka e ka bërë nga xhelozia pas ndarjes mes tyre.

Rexhep Rraja akuzohet për “Përndjekje”, akuzë e ngritur nga Prokuroria.

Në 20 dhjetor, pala mbrojtëse do të paraqesë konkluzionet e saj dhe po atë ditë gjykata do të japë vendimin.

Gjykimi ndaj të riut u bë me procedurë të shkurtuar, çka bën që nëse shpallet fajtor, Rexhep Rrajës ti ulet 1/3 e dënimit.

Por duke llogaritur kohën e qëndrimit në paraburgim, dhe ndonjë ulje të mundshme dënimi, me gjasë Rexhep Rraja do të dalë shumë shpejtë nga qelia.

Sakaq në seancën e djeshme, në gjykatë ka qenë edhe Xhisiela, e cila ka mohuar që të jetë dhunuar apo përndjekur nga ish i dashuri i saj. /a.y/noa.al