Transmetuar më 14-12-2018, 13:24

Fotografi me çanta ‘Louis Vuitton’ dhe këpucë ‘Gucci’, si dhe valixhe e çadra firme. Nuk bëhet fjalë për postimin në Instagram të ndonjë blogeri, por për një prift ortodoks, Vyacheslav Baskakov, i cili ka ngjallur polemika të ashpra në Rusi, për shkak se ka publikuar në rrjetet sociale veshjet e tij të shtrenjta.

Prifti i qytetit të Tver, i është tërhequr vëmendja nga patriarku Kirill, i cili drejton kishën ortodokse, ndërkohë që paralajmërohet ndëshkimi për sjelljen e tij, si dhe me gjasë do i nënshtrohet një kursi riedukimi.

“Shpresoj që ndëshkimi ta bëjë Vyacheslav të arsyetojë. Jeta publike e një prifti nuk duhet përzier asnjëherë me atë private dhe asnjë prift nuk mund të sillet si njeri i zakonshëm, pasi kisha ka rregulla të përcaktuara”, deklaroi Alexander Volkov, zëdhënës i patriarkut Kirill.

Vyacheslav kërkoi ndjesë për veprimin e tij, duke u justifikuar se objektet ishin fotografuar në dyqane dhe se nuk ishin të tijat.

“Jam në siklet për atë që ka ndodhur dhe marrë përsipër të gjithë përgjegjësitë. E kam mbyllur Instagramin, duke qenë se nuk u solla siç duhet dhe e pranoj ndëshkimin. U mundova të isha një njeri modern dhe i hapur dhe për këtë arsye bëja dhe publikimet. Beteja ime ishte për liri”, deklaroi prifti për mediat ruse, shkruan noa.al.

Në vitin 2012, vetë patriarku Kirill përfundoi në qendër të një skandali të ngjashëm, pasi u fotografi teksa mbante në dorë një orë me vlerë prej rreth 30 mijë dollarë. /a.y/noa.al