Transmetuar më 14-12-2018, 14:00

Teksa Kryeministri i ftoi sërish sot studentët në dialog, duke iu premtuar plotësimin e kërkesave të tyre, këta të fundit shprehen të prerë kundër një hapi të tillë.

Nga protesta e sotme, e cila ndodhet në ditën e dhjetë të saj, të rinjtë refuzojnë dialogun dhe negociatat.

Madje ata i kanë lënë si ultimatum Kryeministrit orën 16.00 të ditës së sotme, që të mblidhet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, ku të miratohen tetë kërkesat e tyre.

Në rast se një gjë e tillë nuk ndodhë, studentët kanë paralajmëruar protestë kombëtare, e cila do të kulmojë ditën e hënë.

Më herët nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Rama bëri me dije se nga pika e parë deri e teta do të realizohen.

Por për këtë sipas tij duhet dialog, ndaj ju drejtoi pyetjen studentëve “Ku do e lëmë pra?”

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /a.y/noa.al

Rama, studentëve: Ku do e lëmë pra dialogun?