Transmetuar më 14-12-2018, 15:56

Moti i keq dhe me shi nuk i favorizon shumë megjithatë ata vijojnë të qëndrojnë para kryeministrisë edhe në këtë të premte që shënon ditën e 10-të të protestës së tyre.

Studentët vijojnë rezistencën para kryeministrisë e sakaq sot në mesditë, kryeministri ka dalë me një tjetër ftesë për studentët lidhur me 8 kërkesat e tyre.

Në instastory, Rama shpreh dakordësinë për 8 pikat, nëse studentët ulen në dialog me qeverinë.

Edhe pas kësaj ftese të përsëritur, studentët thonë se nuk do të ketë dialog dhe negociata për këto 8 pika.

Ata i kanë bërë apel Kryeministrit të mbledhë parlamentin të shtunën, në një seancë të jashtëzakonshme vetëm për kërkesat e tyre.

Afati i lënë prej tyre për përgjigje është ora 16:00.

Në të kundërt ata kanë paralajmëruar një protestë kombëtare ditën e hënë, ku përveç gjimnazistëve, studentët kanë kërkuar dhe mbështetjen e qytetarëve.

“Thërrisni deputetët. Të flitet aty për ne. Jemi të vendosur, nuk na përçan dot. Nëse deri në orën 16 nuk thërrisni parlamentin në shesh nuk do janë vetëm studentët. Do bëjmë protestë kombëtare”, pohojnë njëzëri protestuesit.

Kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5% e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve. /b.l/noa.al/