Transmetuar më 14-12-2018, 16:08

Senati Akademik i Universitetit Politeknik të Tiranës ka reaguar përmes një deklarate për protestën e studentëve në ditën e dhjetë. Pas mbledhjes që është zhvilluar sot, Senati Akademik ka dalë me një deklaratë, ku thuhet se mbështet kërkesat e studentëve.

Gjithashtu Universiteti Politeknik i Tiranës propozon krijimin e një axhende politike dhe akademike për reformimin e sistemit të arsimit të lartë.

Deklarata e plotë e Senatit Akademik të UPT:

“Senati Akademik i Universitetit Politeknik të Tiranës, i mbledhur sot në datë 14.12.2018, në mbështetje të studentëve dhe të protestës së tyre civile, krenarë për studentët tanë, për forcën dhe ndërgjegjen e tyre, mirënjohës për kontributin, vlerat dhe sakrificat e brezave të pedagogëve, të ndërgjegjshëm për vështirësitë që ka sistemi shoqëror, ai politik dhe vetë universiteti, larg politikës dhe qëndrimeve emocionale dhe individuale, me vullnetin e plotë për të nisur një ndryshim të madh që bazohet te cilësia e sistemit universitar, vendosi unanimisht të shprehet me këtë deklaratë:

1.Universiteti Politeknik i Tiranës mbështet kërkesat e protestës së studentëve që po zhvillohet në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

2.Politeknik i Tiranës mbështet kërkesën për rritjen e financimit nga buxheti i shtetit me qëllim përmirësimin e mësimdhënies, infrastrukturës dhe mundësinë e rishikimit të tarifave të studimit.

3.Universiteti Politeknik i Tiranës merr përsipër përgjegjësitë e tij dhe shpreh angazhimin gjithëpërfshirës të stafit akademik dhe studentëve për evidentimin dhe zgjidhjen e të gjitha problematikave që i takojnë Universitetit Politeknik të Tiranës.

4.Universiteti Politeknik i Tiranës merr përsipër që nëpërmjet akteve të brendshme të mundësojë institucionalizimin e dialogut pedagogstudent si mekanizmin real dhe transparent për zgjidhjen e problemeve në Universitetin Politeknik të Tiranës.

5.Universiteti Politeknik i Tiranës distancohet nga të gjitha qëndrimet dhe aktet, të çfarëdolloj natyre, që cënojnë figurën e pedagogut, studentit apo Institucionit dhe shpreh vullnetin e plotë për të vënë në funksion të gjithë mekanizmat e vet për të nxjerrë jashtë mjediseve universitare pjesëtarët e stafit të vet që thyejnë etikën akademike.

6.Universiteti Politeknik i Tiranës angazhohet të vijojë të bëjë transparencën e buxhetit dhe shpenzimeve të kryera për çdo vit kalendarik.

7.Universiteti Politeknik i Tiranës propozon: 1. Krijimin e një axhende politike dhe akademike për reformimin e sistemit të arsimit të lartë, ku: – Parimet kryesore të jenë transparenca dhe gjithëpërfshirja; – Cilësia akademike të jetë kryefjala e reformës dhe finaliteti i kësaj axhende; – Arsimi i lartë të shpallet prioritet kombëtar me buxhet solid dhe një plan investimesh madhore në 5 vitet e ardhshme; – Studentët, pedagogët dhe politika të ngrenë një komitet shtetëror me status të veçantë deri në realizimin e plotë të axhendës; – Në qendër të axhendës të jetë studenti dhe pedagogu, hallkat më të rëndësishme të sistemit. Me besim tek e ardhmja dhe të vendosur për cilësinë e universiteteve.