Transmetuar më 17-12-2018, 07:29

Kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar për turistët po sjell më shumë valutë në vend. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, në periudhën janar-shtator, të huajt kanë sjellë në vend 1.47 miliardë euro, niveli më i lartë rekord i regjistruar ndonjëherë. Në raport me një vit më parë, kjo shumë është rritur me 12%.

Vetëm në tremujorin e tretë, që përkon me kulmin e sezonit turistik në vend, turistët dhe të huajt shpenzuan në vend 863 milionë euro, me një zgjerim prej 16% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Më herët, të dhënat e INSTAT bënë të ditur se indeksi i shitjeve neto në volum për hotelet shënoi rritje 37.0 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017, duke shënuar sektorin me rritje më të lartë në ekonomi në këtë periudhë.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në dhjetëmujorin e 2018 është rreth 5.4 milionë, duke u rritur me 17,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017, duke ndikuar pozitivisht në aktivitetin e hoteleve. Shtimi i turistëve nga ana tjetër po nxit dhe investimet në këtë sektor. Edhe sezoni turistik është zgjatur, pasi prenotimet fillojnë që nga maji deri në tetor.

Edhe shqiptarët nuk kursehen

Por, ndërsa të huajt po shpenzojnë më shumë tek ne, edhe shqiptarët nuk kursehen aspak kur dalin jashtë vendit. Po të njëjtat të dhëna të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në udhëtimet e tyre, shqiptarët shpenzuan 1.1 miliardë euro, me një rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shpenzimet kanë kërcyer në tremujorin e tretë të sezonit turistike, me 19.4%, duke arritur në 486 milionë euro, shkruan ‘monitor’. Turqia është një destinacion i preferuar në verë, me charterat drejt Antalias që çdo vit shënojnë rritje dy shifrore, sipas të dhënave të raportuara nga Tirana International Airport.

Bilanci

Për 9 mujori, bilanci i udhëtimeve ka qenë pozitiv për Shqipërinë, me të ardhurat neto që kanë mbetur në vend prej 359 milionë euro, me një rritje vjetore prej 6%. Ky bilanc është rritur me shpejtësi, që nga 2013-a kur ai ishte negativ (d.m.th shqiptarët shpenzonin më shumë jashtë sesa të huajt tek ne), duke reflektuar rritjen e shpejtë të turistëve.