Transmetuar më 21-12-2018, 14:28

Kinemaja e dytë Cineplexx hap dyert për publikun në qendrën tashmë të rinovuar QTU.

E vendosur strategjikisht në krahun tjetër të qytetit, Cineplexx QTU synon të përmbushë kërkesat e vazhdueshme në rritje për kinema moderne dhe cilësore.

Teknologjia më e lartë në 4 salla të reja

Cineplexx në QTU ka një kapacitet prej 600 vendesh, në katër salla të reja dhe tejet moderne.

Të gjitha sallat janë të pajisura me sistemin RealD 3D, me projektorët më të rinj Barco Phosphor Laser dhe me sistemin e dëgjimit JBL Sound Performance.

Për ta përjetuar plotësisht eksperiencën e kinemasë, sallat e reja janë të pajisura me disa lloje të ndryshme ulësesh për më tepër rehati gjatë shikimit të filmit.

Në çeljen private të organizuar një natë më parë për një publik të ngushtë, u përzgjodh pikërisht filmi Aquaman në teknologjinë 3D, për të hapur siparin e kinemasë më të re në qytet.

Gjatë  fjalës së  hapjes drejtori i përgjithshëm i Cineplexx International theksoi se vendimi për një kinema të dytë erdhi në mënyrë të natyrshme pas suksesit të kinemasë së parë Cineplexx në TEG.

“Jemi shumë të kënaqur për këtë hapje të dytë. Tirana na ka surprizuar me vëmendjen dhe interesimin e jashtëzakonshëm ndaj kinematografisë. Jemi të bindur që 2019 do të jetë një vit akoma më i bukur për të gjithë kinemadashësit, me plot risi dhe tituj shumë tërheqës” – tha Christian Langhammer, drejtuesi i Cineplexx international.

Cineplexx International është një nga grupet më të mëdha që operon në rajonin e Europës Jug-Lindore në sektorin e shpërndarjes dhe shfaqjeve kinematografike. I themeluar në Austri, Cineplexx tanimë numëron rreth 50 kinema multripleks në rajon.

Për të festuar këtë hapje të re, në të dyja kinematë Cineplexx, për një ditë të vetme, të gjithë filmat do të kushtojnë vetëm 200 lekë. Kurse në ditët në vijim, do të organizohen aktivitete të ndryshme me në qendër vogëlushët kinemadashës.

Tashmë, programi i besnikërisë “Cineplexx Bonus Card” dhe programi i besnikërisë për më të vegjlit “Klubi Familjar i Filmit” do të jenë aktive në të dy kinematë për të gjithë dashamirësit e kinemasë.