Transmetuar më 23-12-2018, 13:35

Një studim italian i publikuar në revistën shkencore “Human Reproduction”, ka zbuluar se smogu dhe ndotja, ndikojnë në prodhimin e spermatozoideve dhe në gjatësinë e organit riprodhues mashkullor.

Carlo Foresta, docent i Endokrinologjisë në Universitetin e Padova dhe koordinator i grupit të studimeve “Pjelloria e të rinjve në rrezik”, jep alarmin.

Njerëzit dhe kafshët, nëpërmjet ushqimit, ujit dhe kontakteve, janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj produkteve të ndotura, mbetjet plastike dhe produktet në gjendje degradimi. Këta element ndikojnë në ekuilibrin dhe funksionimin e hormoneve, duke i çrregulluar dhe duke sjellë efekte negative në shëndet.

Në disa specie kafshësh që jetojnë në një ambient tejet të ekspozuar ndaj ndotjes, si krokodilët e liqeneve amerikane, arinjtë polar dhe gjarpërinjtë, u vu re një shtim i anomalive në sistemin endokrin riprodhues, që nga reduktimi i përmasave të organit gjenital, tek aftësia riprodhuese dhe deri tek çrregullim në sjelljen seksuale.

Ndërsa nga studimi italian, i zhvilluar në një mijë djem 20-vjeçarë, rezultoi një reduktim i prodhimit të spermatozoideve me -18% në raport me të rinjtë e 15 viteve më parë, si dhe një çrregullim i theksuar hormonal.

Gjithashtu rezultatet e studimit, zbuluan një reduktim të përmasave të penisit me -0.9cm, në raport me të rinjtë e 15 viteve më parë, ndërsa sa i takon testikujve, tek 23% e të rinjve u vu re një reduktim i volumit, shkruan noa.al.

“Të gjithë këto sinjale flasin për një ndikim negativ nga ana e elementëve kimik në ambient në aktivitetin e hormoneve tek mashkulli. Kjo ndërhyrje manifestohet si në fazë zhvillimi embrional, edhe në adoleshent por edhe në moshë madhore, duke sjellë kësisoj pasoja negative në kapacitetin riprodhues të meshkujve”, shprehet Foresta. /a.y/noa.al