Transmetuar më 25-12-2018, 13:10

Presidenti Ilir Meta ka uruar gjithë shqiptarët me rastin e festës së Krishtlindjeve.

Ai uroi më shumë shpresë, paqe, gëzim e lumturi në këtë ditë, duke bërë ftesë që të mendohet më shumë për gjithë ata që janë në vështirësi dhe të japin dorën në një rrugë të përbashkët, në mënyrë që shoqëria jonë të jetë gjithmonë dhe më shpresëdhënëse, sidomos për të rinjtë e Shqipërisë.

Mirëpo Presidenti nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve për mos miratimin e reformës zgjedhore.

Në këtë drejtim kreu i shtetit devijoi disi, ku tha se, “Është një ditë që na fton të gjithëve të shtrojmë mençurinë dhe urtësinë që Krishtlindjet e tjera, të na gjejnë më të gëzuar, por edhe me negociata të çelura me Bashkimin Europian”.

Më tej Meta vlerësoi punën e jashtëzakonshme të komuniteteve të besimit, jo vetëm për besimin te Zoti, e drejta, e mira dhe paqja, por mbi të gjitha atë punën të shkëlqyer sipas tij, që japin komunitetet tona, duke rritur çdo ditë harmoninë ndërfetare në vendin tonë.

Lidhur me dhuratat festive, ai bëri me dije se ka marrë dhuratë vetëm nga vajza e vogla, ndërsa shtoi se kanë menduar që të bëjnë më shumë dhurata jashtë familjes, tek ata të cilët kanë nevojë.

Urimi i kreut të shtetit u bë nga kisha Ortodokse ku u zhvillua edhe mesha për besimtarët ortodoksë, teksa shoqërohej nga dy vajzat, Bora dhe Era. /a.y/noa.al