Transmetuar më 27-12-2018, 13:38

Presidenti Meta vlerëson shkrimtarin e shquar Sterjo Spasse pas vdekjes me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti mori pjesë sot dhe përshëndeti simpoziumin shkencor kushtuar “Jetës dhe veprës letrare të Sterjo Spasses”, që u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës në bashkëpunim me Shoqatën Maqedonase “SONCE”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Meta tha se Sterjo Spasse mbetet shkrimtari, publicisti qytetar e intelektual, i cili ka krijuar vëllimin e vet historik dhe bën pjesë në ato figura që i ka dhënë historisë cilësime të veçanta dhe ka marrë prej saj figurën e paharrueshme të një personaliteti gjurmëlënës.

“Sterjo Spasse, për nga vlera e krijimtarisë së tij letrare dhe shoqërore mbetet personaliteti me integritet dhe individualitet, me sqimë dhe cilësi mjaft të larta. Romani i tij i famshëm ‘PSE’ paralajmëroi krijimin e një letërsie moderne në Shqipëri ndërsa kauza e madhe nëpërmjet kësaj vepre të jashtëzakonshme mbetet preludi i subjektit të çlirimit shoqëror me romanin ‘Ata nuk ishin vetëm’. Figura e Sterjo Spases mishëron jo vetëm intelektualin dhe shkrimtarin e spikatur të vendit tonë, por edhe një figurë të pakrahasueshme në nivel ballkanik dhe evropian”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se si bir i shquar i komuniteti maqedonas, Sterjo Spsase u bë frymëzimi dhe ura lidhëse shpirtërore e bashkëpunimit të shqiptarëve dhe maqedonasve .

Meta tha se shkrimtari studioi në Elbasan e në Korçë, dy qytetet më të shquara në fushën e arsimit dhe se punoi dhe dashuroi arsimin në këto qytete, jetoi dhe bashkëpunoi me njerëzit më të ndritur të kulturës sonë kombëtare të kohës dhe u bë protagonist i ajkës së kësaj kulture duke u bërë njëkohësisht proverbial më shumë tituj librash dhe përkufizimesh në romanet e tij epope.

“Ndaj unë kam vendosur që këtij intelektuali të shquar t’i akordoj sot, në këtë simpozium që mblidhet për nder të tij dhe në qytetin e Korçës, që ai aq shumë e deshi dhe e gdhendi në romanet e tij, titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’. E përjetshme vepra e tij! Sterjo Spasse do të mbetet gjithmonë një dhe i pandarë!”, u shpreh Meta.

Në këtë simpozium shkencor Presidenti i Republikës dekoroi shkrimtarin e shquar Sterjo Spasse (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Në vlerësim të veprës së shquar në letërsinë shqipe, duke frymëzuar me punën e tij vlerat e larta të dinjitetit njerëzor, qytetar, shoqëror e kombëtar. Për veprimtarinë e tij të spikatur edukative dhe intelektuale, rolin e vyer dhe kontributin e tij etno-kulturor në vendin tonë”.

Dekorata e lartë, iu dorëzua të birit, Ilinden Spasse. /a.y/noa.al