Transmetuar më 09-01-2019, 16:53

Shkodra, Kukësi, Korça, Gjirokastra, Dibra dhe Elbasani janë qarqet që janë prekur më shumë nga reshjet e dëborës ditën e sotme.

Në një dalje për mediat, ministrja e Mbrojtjes ka apeluar qytetarët që të kenë kujdes.

Olta Xhaçka ka bërë të ditur edhe për situatën në akset rrugore.

“Akset rrugore kombëtare janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Tepelenë–Gjirokastër, i cili është përkohësisht i bllokuar në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, si dhe një pjese në aksin Gjirokastër-Kakavijë.

Sa i takon akseve rurale, të bllokuara janë akset  në zonat e thella malore, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Elbasan”, tha ministrja.

Xhaçka kërkon që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, deri në përmirësimin e situatës.

“Do të kërkonim të evitonit daljet e panevojshme nga shtëpitë. Për të gjithë ju, që keni nevojë për asistencë, duhet t’i drejtoheni ambienteve të përshtatshme të ngritura nga pushtetit vendor në raste emergjencash, të telefononi në numrat e emergjencave 126, 127, 128 dhe 129 ose tu drejtoheni shtabeve të emergjencave në qytetet tuaja”, nënvizoi ministrja e Mbrojtjes.

Ndërkohë, mbi 2 mijë efektivë të Forcave të Armatosura, Policia, OSSHE dhe Shëndetësia janë në gatishmëri.

Po ashtu, dhe helikopterët e Forcës Ajrore janë të gatshëm të ndërhyjnë nga ajri. /k.k/noa.al/