Transmetuar më 11-01-2019, 19:25

Emri i ri i Maqedonisë ka marrë edhe votën “pro” në parlamentin vendas.

Kështu, në bazë të ndryshimeve kushtetuese, ky shtet do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në seancën e sotme ishin 81 deputetë që votuan “pro” ndryshimeve kushtetuese, dhe ky cilësohet si një hap i madh drejt proceseve integruese.

Pas tre ditëve të seancës së caktuar, Kuvendi sot mbylli votimin, duke pranuar edhe propozimet e dy partive shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, që kanë të bëjnë me ndryshimet në pjesën e shtetësisë si dhe përkujdesjen për diasporën.

Përmes këtyre propozimeve janë pranuar disa nga kërkesat e partive shqiptare.

Amendamentet ishin pjesë e Marrëveshjes së emrit të firmosur në Prespë qershorin e kaluar midis Athinës dhe Shkupit. Sipas marreveshjes, emri Republika e Maqedonisë ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë para Kuvendit vazhdojnë protestat e qytetarëve të cilët nuk pajtohen me ndryshimet kushtetuese. /k.k/noa.al./