Transmetuar më 19-01-2019, 11:27

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se mungesa e shpresës për të ardhmen është shkaku kryesor që shqiptarët po largohen nga vendi.

Duke folur ditën e sotme gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, ku do të bëhet zgjedhja e drejtuesve të rinj të partisë, lideri i opozitës tha se mungesa e shkollimit cilësor, mungesa e shëndetësisë së sigurt dhe mbi të gjitha mungesa e mundësive për të punuar, për një jetë të përmbushur po i shtyn prindërit të nxisin fëmijët të largohen nga vendi.

Në këtë drejtim deklaroi se shqiptarët kanë nevojë të zgjohen, të gjejnë kurajo dhe të besojnë.

“Roli i demokratëve, i Partisë Demokratike në këtë gjendje është kritik dhe se shtrohet një detyrë historike. Si rrallë ndonjëherë në këto tre dekada, një partie politike nuk i kërkohet thjesht të jetë një zgjidhje, një alternativë elektorale, nuk i kërkohet thjesht që të ndalë një të keqe. Nga ne sot kërkohet një ndryshim transformues, edhe më i vështirë se ai në fillim të viteve 1990-të. Atëherë kishte energji, kishte shpresë, politika shihej si një e mirë që do e çonte vendin përpara. Sot shqiptarët e shohin politikën si të keqen më të madhe dhe shkaktaren kryesore të problemeve tyre. Sot shqiptarët kanë humbur besimin tek vetja dhe tek e ardhmja”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se është detyrë historike e PD, kthimi i besimit të shqiptarëve se Shqipëria mund të bëhet vend normal.

Sipas tij, ndryshimi i politikës është sot mision kombëtar dhe se nuk mund të ketë më as vonesa dhe as shtirje, makiazhe dhe fasada, pasi fasadat janë vetëvrasëse, makiazhet janë fatale.

“Në Shqipërinë e sotme ka vetëm dy mundësi: nëse je kriminel apo klient i Edi Ramës gëzon pushtet dhe para, për çdo kënd tjetër jetesa është e vështirë dhe e dëshpëruar. Sepse Shqipëpria është sot një vend me një shoqëri që nuk prodhon, nuk krijon, nuk zhvillohet, nuk përparon.  Jemi një komb ku nuk ka mundësi për të ardhme. Pasuritë e shqiptarëve po grabiten ndërsa energjitë e shqiptarëve po shterojnë duke u ndeshur me krimin, korrupsionin, injorancën, kaosin. Njerëzit janë mbërthyer para ekranit duke parë shpalosjen e  skandalit të radhës të Ramës, krimit të tij të radhës, vjedhjes së tij të radhës. Tani ai po shkatërron të ardhmen”, deklaroi Basha.

Ai tha se të gjithë presin që të jenë të mbrojtur dhe të sigurt, të sigurt nga krimi, të mbrojtur nga burokratët dhe qeveritarët, të mbrojtur nga padrejtësitë dhe se shqiptarët duan normalitetin europian të jetës, shoqërisë dhe politikës, edhe pse janë shumë më të varfër.

“Duan thjesht mundësi. Nuk duan politikanë që vijnë si shpëtimtarë kur në fakt misioni i tyre është te kujdesen për mirëqenien personale në kurriz të shqiptarëve. Por duan politikanë të përgjegjshëm që u ofrojnë mundësi e përkujdesje qytetarëve të tyre.

Sot ne duhet të kthejmë së pari besimin se Shqipëria mund të bëhet vend normal.

E vetmja mënyrë drejt kësaj Shqipërie është varrosja e politikës së korruptuar deri në palcë dhe të inkriminuar në çdo qelizë, është shkëputja e politikës si vegël e një grushti politikanësh dhe biznesmenësh grabitqarë të cilët bëhen bashkë për të shkelur ligjin, për të vjedhur shqiptarët dhe pronat e tyre”, tha kryetari i Partisë Demokratike.

Ai deklaroi se nëse ka një pyetje me të cilën ndëshet ditë për ditë është “kur do e rrëzoni Ramën, si do ta rrëzoni Ramën”.

“Dua të jem i qartë. Une dua ta rrëzojmë tani, dhe kjo mund dhe do te të arrihet vetëm në një mënyrë: duke i bërë njerëzit për vete, duke ju ngjallur atyre besimin tek ne, që do t’i sjellë ata rreth nesh. Sa më shumë shqiptarët të bashkohen rreth nesh, aq më shpejtë do bjerë Edi Rama. Ndaj zgjidhjen kryesore të problemit Rama nuk e gjejmë dot as në rrugë, dhe as në institucione, por tek mendjet dhe zemrat e njerëzve. Nëse njerëzit besojnë tek ne, nëse njerëzit do të kenë shpresë tek ne, Edi Rama do të rrëzohet edhe formalisht pasi moralisht dhe politikisht ka rënë me kohë”, tha Basha.

Ai shtoi se njerëzit janë të zgjuar dhe se ata dinë ta dallojnë politikanin që mendon për ta nga ai që bën sikur mendon për ta duke punuar për vete.

Kështu që nënvizoi se një nga arritjet e mëdha të Partisë Demokratike dhe të këtij Këshilli janë pikërisht njerëzit e propozuar që do të konkur5ojnë për postet e larta drejtuese në parti përmes një procesi të hapur, demokratik dhe transparent.

Basha tha se janë që të gjithë demokratë të përkushtuar, të zotët, me integritet.

“Për t’iu përgjigjur sa më mirë sfidave që kemi përpara, për të vënë të gjithë kapacitetet tona në shërbim të realizimit të objektivave të Partisë Demokratike kam vendosur të kemi një ndarje të funksioneve të deputetëve nga sekretariati organizativ i partisë. Në këtë mënyrë organizimi i partisë, nuk do të jetë i ndërvarur por do të jetë i ndërthurur me betejat legjislative dhe politike të deputetëve apo detyrimi i tyre për të qenë sa më pranë votuesve të tyre”, deklaroi kryedemokrati.

Ai shprehu bindjen se me Kryesinë e re, do i përvishet menjëherë punës për të krijuar një alternativë të fortë qeverisëse dhe një ekip të zotin dhe me dinjitet për të udhëhequr zbatimin e kësaj alternative.

Ai tha se gjatë mbledhjes së Këshillit do të vendoset për aksionin politik dhe përballjen e madhe që do të nisim bashkë.

– Për ndarjen e politikës nga krimi përmes vettingut të politikanëve.

– Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve.

-Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare.

– Integrimin e Shqipërisë në BE.

“Por së pari vjen beteja dhe përballja e madhe për demokracinë dhe shtetin ligjor duke udhëhequr protestat popullore për rrëzimin e Ramës dhe për ta shporrur këtë model menjëherë e mirë institucionet, nga politika, nga Shqipëria. PD do ta udhëheqë këtë beteje jetike për Shqipërinë bashkë me shqiptarët dhe do ta fitojmë këtë betejë”, deklaroi në mbyllje Lulzim Basha./a.y/noa.al