Transmetuar më 19-01-2019, 14:05

Ish-Presidenti Bujar Nishani padit për shpifje Kryeministrin Edi Rama për akuzën publike të tij se “vëllai i Presidentit e ktheu në loto mensën në Qyteti Studenti”.

Në qëndrimin e tij ish-Presidenti siguron se i vëllai as nuk ka tentuar dhe as nuk ka privatizuar kurrë ndonjë objekt në Qytetin Studenti.

Madje ai e sfidon Ramën, si njeriu që ka në dorë çdo pushtet dhe çdo zyrë publike, nga tatimet tek hipoteka, të bëjë publike dokumentet që provojnë se vëllai i ish-Presidentit është pronar i ish-mensës në Qytetin Studenti apo ka kryer ndonjë aktivitet lotoje aty.

Pak kohë më parë, për të vërtetuar se e njëjta akuzë ishte shpifje, ish-Presidenti Nishani publikoi certifikatat e pronësisë së pronarëve të ligjshëm, që nuk kanë asnjë lidhje me familjen apo të afërm të tij, të cilat mund ti shihni më poshtë.

Ky reagim i Nishanit, vjen pasi teksa kreu i qeverisë ishte i pranishëm në prezantimin e projektit të Kampusit të ri Universitar, në “Qytetin Studenti” deklaroi se territori rezultoi një ‘tokë e xanun’ nga politikanët e partisë që lindi pikërisht në Qytetin Studenti.

“Morën nga studentët energjinë e madhe dhe ajo që bënë ishte thjeshtë që t’i merrnin dhe pronat. Në Qytet Studenti kanë ndodhur disa ndërhyrje mikroskopike, por nuk është bërë asgjë për të përballuar ndryshimin e madh me rritjen e numrit të studentëve. Në ato godina strehohet një numër i madh studentësh. Simboli i bashkimit është marrja e mensës, nga vëllai i Presidentit demokrat të Republikës dhe kthimi i saj në loto. Po ashtu u zaptuan godina për qëllime personale. Këta nuk janë thjeshtë zbatues që mund t’i marrësh dhe ti largosh. Këta janë tashmë pronarë dhe i kanë regjistruar këto prona”, u shpreh Rama. /a.y/noa.al

Rama: Mensa e Qytetit Studenti, u bë loto nga vëllai i Presidentit të PD