Transmetuar më 19-01-2019, 15:46

Një motoskaf është mbytur sot pranë brigjeve të detit Jon. Ngjarja në fjalë u sinjalizua rreth orës 11:30, kur motoskafi lëshoi alarmin SOS, ndërsa drejt tij u nisën 2 mjete të policisë kufitare.

Mësohet se mjeti i lundrimit, 16 metra i gjatë, ishte nisur nga Korfuzi drejt Sarandës, por fatkeqësisht ai pësoi defekt 5 milje larg bregut, në vendin e quajtur ‘Kapoqefal’.

Po ashtu thuhet se motoskafi ishte me flamur holandez, ndërsa ai drejtohej nga një shtetas italian, i cili u shpëtua nga policia kufitare e Sarandës.

Më pas ai është shoqëruar në komisariat, ku ka deklaruar se ishte nisur për turizëm dhe se udhëtonte i vetëm me jahtin e tij. Kjo konfirmohet edhe nga autoritetet portuale greke.

Turisti italian mësohet se është nisur nga një port italian disa ditë më parë me destinacion fillimisht Korfuzin.

Nga ishulli grek, italiani ka udhëtuar në drejtim të Shqipërisë, por gjatë lundrimit në det jahti ka pësuar një defekt çka ka bërë që të mbytet brenda pak minutash. Policia kufitare ka nisur hetimet mbi shkaqet e mbytjes së mjetit lundrues.