Në kërkim për vrasjen e një vajze greke, shqiptari akuzohet se përdhunoi në grup një tjetër
Transmetuar më 21-01-2019, 19:28

Djali 20-vjeçar shqiptar i cili u arrestua nga policia greke për vrasjen e 21-vjeçares Eleni Topaloudi, sot akuzohet se pak pas këtij krimi ka përdhunuar edhe një vajzë 19 vjeçe me aftësi të veçanta, në grup me një të ri rom.

Lajmi ka shkaktuar gjendje shoku në opinionin publik grek.

Policia e Shtetit akuzoi djalin shqiptar Aleksandër Lucaj, se kishte marrë pjesë më 28 nëntor 2018 në vrasjen e Elenit dhe më tej më 1 dhjetor kishte përdhunuar në grup edhe vajzën me të meta.

Të dyja krimet sipas policisë, kanë ndodhur në Rodhos, ishulli i njohur turistik grek, raporton noa.al duke cituar të dhënat zyrtare që publikoi Policia e Greqisë.

Nëna e vajzës së abuzuar ka folur në mediat greke duke treguar si kishte rënë e bija në duart e dy meshkujve:

“I thanë të futej në makinë që të dëgjonte muzikë. E përdhunuan me dy faza. Në fillim shkuan diku tutje, por pak minuta më pas aty kishte lëvizje kalimtarësh që ua la në mes përdhunimin. Shkuan pak më larg, ku vazhduan ta përdhunojnë”, – tregoi gruaja që shikoni në foton e censuruar.

Nëna e 19-vjeçares

“Kur ime bijë u kthye në shtëpi, – vijoi e ëma në dëshminë filmike që e gjeni te video më poshtë, – ishte mbushur nga flokët me bar dhe rrobat i ishin bërë pis. Ndërsa nga fytyra ishte zbardhur krejt. Truri nuk më shkoi aq larg sa të mendoja se e kishin përdhunuar. Thjeshtë mendova që është shtrirë në bar. Por kur vajza e madhe erdhi pas dy ditësh, teksa folën bashkë, mësoi prej saj se çfarë kishte ndodhur”, – vijon rrëfimin nëna e 19-vjeçares së përdhunuar në grup nga i riu shqiptar i shpallur në kërkim për vrasje dhe shoku i tij 23-vjeçar rom.

Pasi familjarët njoftuan policinë u kryen veprime që nxorën se vajza kishte patur kontakt seksual.

Policia tha se arriti të arrestojë të riun rom, i cili pranoi se kishte përdhunuar në grup vajzën me aftësi të veçanta, së bashku me të riun shqiptar, Aleksandër Lucaj.

Por vëllai i 23-vjeçarit, ka një version tjetër për ngjarjen (video më poshtë). Duke folur me mediat greke, ai tha se nuk beson të ketë ndodhur përdhunim. “Vajza hyri duke qeshur në makinë dhe kur u kthye në shtëpi, ishte po aq mirë. S’pa askush ndonjë shenjë përdhunimi. Tani, ajo e dinte se për çfarë po shkonte me ta. I njihte dhe shkoi me ta. Se çfarë në të vërtetë ka ndodhur, e dijnë vetëm ata të tre”, – shtoi vëllai i njërit prej dy të dyshuarve për përdhunim. /noa.al/

Lexoni dhe: Një djalë shqiptar akuzohet se vrau bashkë me shokun grek një 21-vjeçare, i fusin në një qeli

rodos_alvanos

rodos_eglima