Transmetuar më 25-01-2019, 17:13

Parlamenti i Greqisë ka ratifikuar marrëveshjen me Maqedoninë për zgjidhjen e kontestit të emrit. Për marrëveshjen kanë votuar 153 deputetë nga 300 sa numëron institucioni ligjvënës në Athinë. Kundër kanë votuar 146 deputetë të opozitës, ndërsa asnjë votë abstenim.

Votimit i ka paraprirë një debat treditor i përcjellë me akuza të shumta mes deputetëve të partisë së kryeministrit grek, Aleksis Tsipras dhe atyre të Demokracisë së Re, të cilët marrëveshjen e vlerësonin të dëmshme.

Janë mbajtur edhe protesta të shumta nga grupe të ndryshme, të cilat të enjten në mbrëmje dogjën edhe flamurin maqedonas.

Pas votimit të marrëveshjes, Parlamenti grek duhet t’i njoftojë shtetet anëtare të NATO-s se tërhiqet nga bllokimi i pranimit të Maqedonisë në NATO.

Parlamenti grek

Me këtë marrëveshje, Maqedonia e ka ndërruar emrin në Maqedoni e Veriut ndërsa Shkupi ka pranuar se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave dhe se identiteti nuk ka asgjë të përbashkët me maqedonasit e lashtë.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 17 qershor 2018 në Prespë, me të cilën edhe mbyllet kontesti 27-vjeçar ndërmjet dy vendeve.

Pas miratimit të marrëveshjes për emrin e Maqedonisë nga ana e Parlamentit të Greqisë, kanë reaguar zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

***

Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, thuhet se që në fillim BE-ja ka mbështetur fuqishëm marrëveshjen historike të nënshkruar nga kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ilustrim

“Duhej guxim politik, udhëheqje dhe përgjegjësi në të gjitha anët për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet më të forta në rajon. Të dyja vendet e kanë zënë këtë mundësi unike, e cila përcakton një shembull pajtimi për Evropën në tërësi dhe do të japë një shtytje të mëtejshme për perspektivën evropiane të rajonit”, thuhet më tutje në deklaratë.

Zyrtarët e lartë të BE-së më tutje thonë se presin hapat e ardhshëm proceduralë që çojnë drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes.

“Athina dhe Shkupi, së bashku, kanë shkruar një faqe të re për të ardhmen tonë të përbashkët të BE-së”, thuhet në deklaratë.

***

Pas ratifikimit të marrëveshjes nga Parlamenti i Greqisë, kryeministri i Maqedonisë ka përgëzuar homologun e tij grek, Aleksis Tsipras.

“Gëzuar miku im, Aleksis Tspiras, së bashku me popujt tanë, shkruam fitore historike. Le të jetë e përjetshme Marrëveshja e Prespës, le të jenë të përjetshme paqja dhe progresi në Ballkan dhe Evropë”, ka shkruar Zaev në rrjetin social Facebook.

Edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë Veriut, Bujar Osmani, vendimin e Parlamentit grek e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e të dyja vendeve, ndërsa kryeministrin grek Tsipras e ka përgëzuar për guximin, vizionin dhe durimin e treguar për procesin e ratifikimit të marrëveshjes.

“Urime për të gjithë ne, mirënjohje për qytetarët e dy vendeve. Ballkani sot fitoi dy fqinj, miq të shkëlqyer, shembull për të gjitha vendet tjera të Ballkanit”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Micotaqis kërcënon: Veto Maqedonisë për BE

Kryetari i Demokracisë së Re, Kiriakos Micotaqis, kërcënon me veto në Komisionin Europian ndaj antarësimit të Maqedonisë. Nëse ai do të marrë votat e grekeve për të qeverisur vendin në zgjedhjet e ardhshme ai premton bllokimin e antarësimit të Maqedonisë për shkak të Marrëveshjes së Prespës. Këtë e ka bërë të ditur në debatin parlamentar gjatë së enjtes në mbrëmje në parlament. “Nëse grekët do më besojnë mua për kryeministër, unë refuzoj ta interpretoj marrëveshjen në këtë mënyrë. Proçesi i integrimit të Maqedonisë në BE nuk ka lidhje me Prespën. Greqia do të rezervojë të drejtën që i rrjedh si pasojë e të qënit anëtar i BE-së. Pra me fjalë të tjera, Greqia do të vendosë Veton në proçesin e antarësimit të Maqedonisë në familjen europiane”-tha Micotaqis.

Nga ana e tij kryeministri, Aleksis Cipras akuzoi opozitën se në mungesë të argumentave kundër marrëveshjes merren me gjëra të vogla. “Ne jemi për momentin një hap larg një ngjarjeje historike. Pas gati 30 vjetësh mosaktiviteti dhe tërheqjeve të  njëanshme dhe pas një viti negociatash të ethshme jemi në fund të një proçesi të dhimbshëm. Ju po merreni me çështje dytësore dhe jo me çështjet thelbësore sepse ju mungojnë argumentat”-u shpreh kryeministi grek Cipras.

Megjithatë, duket se sondazhet favorizojnë opozitën në Greqi. Në një sondazh të fundit Demokracia e Re renditet partia e parë me 33 përqind dhe Syriza ka 22 përqind. Sot në 14:30, sipas orës greke, pritet që Marrëveshja e Prespës të ratifikohet në Parlamentin grek. Ndërkohë në 12:30 pritet që sërish të ketë protesta të kundërshtarëve kundër ratifikimit të marrëveshjes.