Transmetuar më 25-01-2019, 21:14

Edhe pas presionit që Ambasada amerikane në Kosovë është duke ushtruar ndaj krerëve të shtetit që të heqin taksën 100 për qind ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, kryeministri Ramush Haradinaj e ka ripërsëritur qëndrimin kundër shfuqizimit të taksës.

Haradinaj u shpreh se Kosova është e interesuar ta pezullojë taksën vetëm nëse ka gatishmëri nga Serbia për ta njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan Rtk.

Këto komente Haradinaj i bëri pas vizitës në një kompani, teksa theksoi se këtë vit shumicën e kohës do ia kushtojnë ekonomisë.

“Jo jo nuk ka diçka të kësaj natyre. Ne kemi hyrë në disa dimensione të reja në politikë në Kosovë, që do të thotë këtë vit shumicën e kohës do ia kushtojmë ekonomisë.

Marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Serbi janë të rëndësishme, ndonjëherë kanë për për t’u rregulluar, por duhet t’i prijë një marrëdhënie politike, pra pa një marrëveshje politike Kosovë-Serbi është zor të mbahen të rregulluara marrëdhëniet e tjera.

Ne jemi të hapur, pra jemi të interesuar për të pezulluar taksën nëse ka gatishmëri për t’u rregulluar marrëdhëniet Kosovë-Serbi politike, e që nënkupton edhe njohja e Kosovës”,  ka thënë Haradinaj.

Ambasada amerikane në Kosovë sot gjatë ditës perms, një komunikate për media ka bërë përsëri thirrje që taksa 100% të tërhiqet, pasi sipas ky veprim është i kundërt me interesat e SHBA-ve.