Transmetuar më 27-01-2019, 17:58

Në Kosovë sot u mbajt ceremonia e varrimit të zëvendësministrit për Diasporën dhe investime strategjike, Arian Daci, i cili ndërroi jetë aksidentalisht një ditë më parë në qendrën e skijimit në Brezovicë, rreth 60 kilometra në jug të Prishtinës.

Udhëheqësit më të lartë të vendit, të partive politike dhe të afërmit bën nderime pranë arkivolit të tij në ndërtesën e Parlamentit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se “qeveria e vendit humbi një zyrtar të zellshëm, kolegët një mik të dashur, e Prishtina humbi një djalë të ri, një qytetar të edukuar dhe shembullor. Lamtumirë, Arian!”.

Arian Daci ishte i biri i kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademik Nexhat Dacit.

Familjen Daci e ngushëlluan zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe të Shqipërisë.