Transmetuar më 05-02-2019, 21:17

(Deklaratë lidhur me një lajm të pavërtetë përhapur në disa media online)

“EHW është një kompani serioze, e cila operon në tregun shqiptar për më shumë se 26 vjet, duke patur prioritet korrektesën dhe transparencën me konsumatorët. Duke përdorur lëndë të para të cilësisë më të lartë dhe duke ia nënshtruar çdo produkt testeve laboratorike, EHW ka garantuar gjithmonë shkallën më të lartë të sigurisë.

Por megjithëkëtë, sot ne ndodhemi përballë akuzash dashakeqe dhe cinike, të cilat synojnë të cënojnë imazhin dhe standardet që ne kemi vendosur në treg gjatë këtyre viteve.

Disa media online, kanë përhapur sot lajme me fakte të rreme, krejtësisht të pavërteta, duke tentuar të krijojnë panik tek konsumatorët për cilësinë e produkteve ushqimore, duke iu referuar EHW-së.

Këto sulme, të paprecedenta në një ekonomi tregu dhe në një shtet të së drejtës, janë produkt i refuzimit të ofertave të reklamimit nga ana jonë për këto media online.

Ne e vlerësojmë rolin e medias në denoncimin e mashtrimeve që bëhen nga prodhues tregtarë të pandershëm.

Por ne refuzojmë dhe dënojmë çdo formë presioni të mediave të ndryshme për të përfituar reklama.

Ne u kërkojmë konsumatorëve të mos ndikohen nga të tilla informacione të pavërteta, si dhe i ftojmë që të bashkëpunojnë me kompaninë tonë, në shërbim të transparencës dhe korrektesës, duke na informuar për çdo parregullsi që mund të vërejnë, në çdo njësi të shitjes së produkteve tona.

Ne shprehim sigurinë se të tilla shpifje nuk do ta dëmtojnë marrëdhënien e shkëlqyer që EHW ka me konsumatorin dhe shprehim edhe njëherë vullnetin tonë për të qenë standardi më i lartë i cilësisë në treg".