Transmetuar më 05-02-2019, 23:25

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka konsideruar si të papranueshme deklaratat e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kociajncic për statutin e Trepçës.

Haradinaj ka thënë se reagimi i Bashkimit Europian kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës është dëshmi se "BE-së i ka humbur rruga në oborr".

Ky reagim ka ardhur pas deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se një gjë e tillë dëmton sovranitetin e shtetit të Kosovës, duke shtuar se Trepça nuk është çështje e hapur.

"Reagimi i BE-së kundër miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës", shkruan Haradinaj./a.k/noa.al/