Transmetuar më 06-02-2019, 16:52

I njohur si një nga juristët më të mirë të së majtës, Fatmir Xhafaj, është aktualisht deputet i Partisë Socialiste, pasi dha dorëheqje të papritur disa javë më parë, duke i hapur rrugën këshilltarit të Ramës, gjeneral Sandër Lleshaj.

Xhafaj, ish ministër i Drejtësisë dhe më herët kandidat për kreun e PS përballë Fatos Nanos, njihet edhe si përgatitësi i programit elektoral dhe qeverisës të PS në një pjesë të mirë të tyre.

Por sot, Xhafaj është larguar nga polemikat politike.

Megjithatë, është e qartë se marrëdhëniet e tij me Ramën dhe më gjerë në mazhorancë, nuk janë në ditët e tyre më të mira.

Sot, teksa foli në Parlament te Komisioni i çështjeve ligjore, z.Xhafaj foli hapur për atë që e cilësoi zgjatim të parlamentit në shërbim të qeverisë.

Ndërsa po diskutohej kërkesa direkte e Edi Ramës për ndryshimin e  Rregullores së Kuvendit, Xhafaj u pozicionua qartë, kundër shumicës së PS-së.

Ai foli me fakte dhe argumente, kur tha se nuk duhet ndryshuar Rregullorja sipas interesave të ditës, sepse 8 herë u ndryshua kjo Rregullore e Parlamentit që nga viti 2005, dhe kërkoi njëkohësisht që t’i jepet fund kësaj situate:

“Nuk është korrekte dhe normale ndryshimet e shpeshta të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë. Rregullorja e Kuvendi mbetet si një “kushtetutë” e funksionimit të Parlamentit”, – tha Xhafaj duke ngritur menjëherë më pas tonet kur tha se deputetët në këtë Parlament janë shndërruar thjesht në kartonë që ulen dhe ngrihen.

“Nga viti 2005 e deri më sot rregullorja është ndryshuar 8 herë. Ky proces duhet të jetë sa më i kujdesshëm. Ndryshimet e herëpashershme e kanë zbehur rolin e deputetit. Deputetët janë shndërruar në kartonë. Kjo është gjëja që duhet të na shqetësojë më shumë. Është momenti për të parë se si mund të rikthehen disa ndryshime që rezultuan të dëmshme dhe që e shndërruam legjislativin në një zgjatim të ekzekutivit”, shpërtheu Xhafaj në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.

Por çfarë ndryshimi i radhës po tentohet të bëhet?

PS e drejtuar nga Rama kërkon që të ndryshohet edhe një herë rregullorja e Kuvendit me qëllim që të forcohen kriteret për rastet kur nga organet e reja të drejtësisë do të dërgohen kërkesa për arrestime politikanësh që janë deputetë apo ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit. /noa.al/