Transmetuar më 06-02-2019, 17:18

Një grua nga Nepali ka vdekur nga asfiksia pasi ishte dëbuar në kasolle për shkak të menstruacioneve. Ky është rasti i dytë brenda javës, pas vdekjes së një nëne dhe dy fëmijëve në rrethana të ngjashme ngjarje e cila ka shkaktuar zemërim.

Shumë komunitete në Nepal i shohin gratë në periudhën e menstruacioneve si të papastra dhe për pasojë i detyrojnë që të flenë në një kasolle larg shtëpisë, duke ndjekur një traditë shekullore të njohur si “chhaupadi”.

Parbati Bogati, 21 vjeç, u gjet e vdekur në një kasolle të mbushur me tym të enjten në mëngjes në lagjen perëndimore Doti, kur vjehrra e saj shkoi për ta kontrolluar. “Ne dyshojmë se ajo vdiq për shkak të thithjes së tymit dhe asfiksisë, sepse ajo e mbylli derën e kasolles pa dritare dhe ndezi një zjarr në dysheme për tu ngrohur gjatë natës”, tha për AFP, oficeri i policisë lokale Lal Bahadur Dhami.

Në vitin 2005, Gjykata Nepalese  e ka shpallur të jashtëligjshëm këtë praktikë, por në fshatrat e largët në malet e vendit të vogël aziatik është ende e vështirë për të zbatuar e drejtat e grave për të mos u diskriminuar për shkak të ciklit menstrual. Nxitur nga shumë aktivistë, Kuvendi i Nepalit lëshoi më 10 gusht 2017 një ligj që dënon ata persona që e zbatojnë ende këtë rit.

Ata që detyrojnë ende gratë të ndjekin “Chhaupadi” dënohen me tre muaj burg dhe paguajnë një gjobë. Përtej ligjeve, pengesa e vërtetë është kulturore, edhe pse pas një tjetër vdekjeje të gruas Nepalese komunitetet duhet të jenë më të vetëdijshëm.

"Shoqëria jonë – tha vjehrra e Perbatit – duhet t’u lejojë grave të flenë në shtëpi gjatë menstruacioneve". Praktika është e lidhur me hinduizmin dhe i konsideron gratë të paprekshme gjatë menstruacioneve dhe pas lindjes. Nën traditën “Chhaupadi”, gratë janë të ndaluara të prekin ushqimin, ikonat fetare, kafshët dhe burrat./b.l/noa.al/