Transmetuar më 10-02-2019, 21:05

Një vajzë në moshë të mitur thotë se është përdhunuar nga i dashuri dhe shoku i tij duke përdorur ndaj saj dhunë verbale dhe fizike.

Mesazhin e vajzës 15-vjeçare e publikoi drejtuesja e emisionit “Dritare”, Rudina Xhunga.

Në këtë mesazh, vajza thotë se ngjarja erdhi pasi i dashuri i saj i kishte kërkuar që të kryenin marrëdhënie seksuale, por ajo fillimisht nuk pranoi.

Djali kishte vazhduar të këmbëngulte dhe arriti ta bindë. Ai i tha se do ta takonte në të njëjtën rrugë ku jetojnë që të dy dhe më pas do të iknin në një hotel që të mos i pikaste kush gjëkundi tjetër.

Vajza tregon se u bind dhe shkuan në hotel. Por me të hyrë në dhomë, brenda gjendej një mashkull tjetër, shok i të dashurit të vet.

“Më shtynë në dhomë dhe më mbyllën gojën. Më godisnin në bark dhe kokë që të pushoja së qari dhe bërtituri. Njëri më mbante derisa tjetri të kryente punën e tij dhe kështu vazhdoi makthi për orë të tëra nuk më lanë të dal që aty. Në fund ata u veshën dhe dolën nga dhoma, i dhanë ca lekë pastrueses së hotelit dhe i thanë të më ndihmonte të vishesha e të gjeja furgon që të ikja në shtëpi”, – tregon e mitura historinë e saj.

Vajza pohon se kanë kaluar vite dhe nuk ka folur nga frika se çfarë do të thonë njerëzit.

E ndërkohë, e mitura pohon se me dy djemtë shkëmbehet çdo ditë në rrugë dhe ata i qeshin, “duke më kujtuar çdo moment se çfarë kam kaluar”.

E mitura thellon alarmin kur shton se njeh edhe shumë të tjera raste të ngjashme në shoqërinë e saj, madje sipas saj, dhuna seksuale është konsumuar dhe nga mësues.

“U ka ndodhur edhe shoqeve të mia në shkollë ku janë mashtruar nga mësuesit dhe janë kërcënuar për të kryer marrëdhënie”.

Në fund të mesazhit, vajza apelon që kjo çështje të trajtohet sa më shumë në media, me qëllim që “njerëz si ata të dy të kenë pak frikë dhe mos i bëjnë më ato gjëra”.

Xhunga: Çfarë t’i thuash një fëmije që të shkruan këtë mesazh?!

Për këtë mesazh të mbërritur nga vajza e mitur, Rudina Xhunga shprehet:

“E rëndësishme është të flisni vogëlushe, vajza të vogla që keni turp, që kujtoni se është faji juaj. Nuk është faji juaj. Ai nuk është i dashuri, është përdhunuesi. Denoncoje! Nuk janë të gjithë policët si ai që përdhunoi denoncuesen. Kolegët e tij i kishin sytë me lot, kur vajza të vogla denonconin. Flisni me nënat tuaja. Nuk besoj se janë të gjitha nënat, si ato që e nisin qyshkur jeni bebe, ju rrasin një biberon në gojë, që të mos qani, mandej një celular që të mos i shqetësoni. Flisni me nënat tuaja, shkundini ato. Mos i lini të shohin telenovela. Ju jeni kryevepra e mamave tuaja. Dhe mos besoni kurrë që dashuria është fjalë parahistorike e zhdukur si dinozaurët. Është aty dhe po të pret të të zbukurojë jetën. Vetëm beso dhe mos lër asnjë të prekë besimin tënd.

Jam e sigurt që pas ngjarjes së Kavajës shumë nga ne kemi folur me veten, fëmijët, njeri-tjetrin. Dhe nuk është pak. Nisem të flasim. Ndaj vogëlushe e Kavajës, nuk je vetëm, janë shumë si ti, që po ngrenë zërin pas teje. Ndaj faleminderit që sajë teje nisi mes shqiptarësh, një revolucion komunikimi për seksin, tabutë, dhunën, arrogancën e të fortit, te ligut. Sepse kjo duhet të ndodhë. Dhe kjo nuk nis me vendim parlamenti, por me ndjeshmëri shoqërie. Politika nuk ka punë të na diktojë. Jemi ne që diktojmë politikat në kësi rastesh. Le të fillojë!”