Transmetuar më 11-02-2019, 10:30

Një mjek i Urgjencës së Infektivit ka rënë pre e dhunës nga një familjar i një pacienti, pasditen e kësaj të diele. Kjo pas ankesës së dhunuesit në trajtimin që mjeku Genc Stroni, po i bënte pacientit.

Lidhur me këtë rast dhune ka reaguar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ajo thotë se, dënon me forcë aktin e neveritshëm, të agresionit të dhunshëm ndaj mjekut infeksionist G.S., ditën e djeshme në spitalin infektiv në QSUT.

Sipas saj, është barbari të sulmosh një profesionist të shëndetit, për më tepër në kushtet kur është duke ofruar me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për qytetarët.

“Sulme të tilla ndaj mjekëve, infermierëve, apo cilitdo që me vetëmohim dhe sakrificë, punon përditë, në shërbim të shëndetit të qytetarëve, meritojnë ndëshkimin maksimal që lejon ligji. Inkurajoj organet e drejtësisë të hetojnë me prioritet maksimal këtë ngjarje të ndodhur brenda mjediseve të një spitali dhe të procedojnë duke dhënë një ndëshkim shembullor për agresorët, që duke vënë dorë mbi një mjek, shkelin jo vetëm ligjin, por edhe çdo normë morali dhe etike, si dhe çdo kod sjelljeje”, shprehet Manastirliu.

Ajo shton se akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj dhe ka propozuar një ndryshim në Kodin Penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.

Ministrja bën me dije se do të nisin një seri diskutimesh edhe për rishikimin e gabimit mjekësor dhe mënyrës se si ai trajtohet.

Po ashtu ka reaguar edhe QSUT

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar të dielën në mesditë nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekut të rojes në Urgjencën e Spitalit Infektiv. Çdo akt dhune e agresioni ndaj mjekëve dhe personelit shëndetësor në tërësi përgjatë ushtrimit të detyrës së tyre është i papranueshëm, bazuar në normat ligjore, etike, morale. Çdo akt dhune ndaj bluzave të bardha është i papranueshëm duhet të trajtohet me seriozitet nga organet kompetente.

Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës.

Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar mbrëmë ndaj mjekut infeksionist dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe të identifikojnë autorin, cili menjëherë pas sulmit është larguar nga vendi i ngjarjes. Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore. /a.y/noa.al