Transmetuar më 12-02-2019, 12:30

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot, çekun e bebes trinjakëve të parë për vitin 2019, që erdhën në jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

I shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri uroi nënën e re të dy vajzave dhe djalit të sapolindur, të cilët menjëherë përfituan edhe çekun e bebes prej 120 mijë lekë të reja secili.

“Me këtë rast sqaruam atë py​etjen e famshme, ‘si është bonusi kur janë tre?’ Kështu që, kur janë tre, të gjithë marrin si për të tretin, 1.2 milionë lekë. Kanë ardhur me duart plot,” u shpreh Kryeministri Rama.

Nga 1 janari i këtij viti, 2200 bebe kanë përfituar bonusin e bebes. Çeku i Bebes përcakton shpërblim me 40 mijë lekë të reja për fëmijën e parë, 80 mijë lekë të reja për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë të reja për fëmijën e tretë.

Për nënat që lindin binjakë masa e përfitimit është në masën 80 mijë për secilin fëmijë, ndërsa për nënat që lindin trinjakë e më shumë, masa e përfitimit është në masën 120 mijë lekë për secilin fëmijë.

Prindërit e kryejnë regjistrimin e fëmijës së porsalindur në sportelet e gjendjes civile të hapura në 37 maternitete të vendit, duke lehtësuar edhe procedurën e regjistrimit fillestar të të porsalindurve. /a.y/noa.al