Transmetuar më 12-02-2019, 20:11

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për të nisur hetim disiplinor ndaj gjyqtarëve që zhbënë dënimin përjetë ndaj Dritan të Dajtit.

KLGJ, në një njoftim për mediat sqaron se “kjo çështje do të trajtohet me përparësi, paanshmëri dhe profesionalizëm”.

Këshilli do të bëjë vlerësimin e duhur, në përputhje me kuadrin e ri ligjor dhe do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm në respektim të ligjit, thuhet në reagim.

Më herët, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës.

Gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e kishte dënuar Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm. Por me vendimin e sotëm të Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg.

Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht. Teksa ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë të cilët shkuan për ta arrestuar, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 15 vite burg. /k.k/noa.al/