Transmetuar më 13-02-2019, 11:00
Artan Bajrami

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda, Artan Bajrami, ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në seancë dëgjimore, në kuadër të procesit të vetingut.

Ai rezultoi pa probleme sa i takon pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Edhe lidhur me deklaratën e pasurisë nuk u konstatuan fshehje, por rezultoi gjithçka në përputhje me ligjin.

Dyshime u hodhën vetëm për 1.5 milionë lekë të reja për blerjen e një apartamenti prej 6.5 milionë lekësh në Tiranë. Por prokurori tha se ato para ia kishte marrë baxhanakut borxh, por se nuk i kishte përmendur në deklaratën e pasurisë.

KPK ka kryer një hetim të thelluar për pasuritë: apartament 110 metra katrorë në Tiranë, blerë për 45 mijë dollarë ose 6.5 milionë lekë. Si burim është deklaruar një hua prej 5 milionë lekë dhe të ardhurat nga shitja e banesës në Gramsh për 4 mijë dollarë, si dhe kursimet nga paga. Nga hetimi ka konstatuar mospërputhje ne deklarim për shlyerjen e një kësti të huasë. Gjatë hetimit, subjekti nuk ka deklaruar se pagesa 1.5 milionë lekë është paguar nga baxhanaku.

Apartament banimi në Golem, 55 metra katrore , subjektit iu kërkua shpjegime në lidhje me disa pasaktësi për këtë apartament. Pasuri e paluajtshme pyll dhe kullot, 910 mijë metra katrorë përfituar nga komisioni i kthimit të pronave, subjekti e ka deklaruar si trashëgimi nga babai. Për herë të parë e ka deklaruar në vitin 2014. Rezulton se përputhet deklarimi me dokumentet e tjera. Gjithashtu, rezulton se subjekti nuk e ka deklaruar asnjëherë më parë se viti 2014. /a.y/noa.al