Transmetuar më 13-02-2019, 16:09

Një terrorist shqiptar nga Kosova është arrestuar në çastet e fundit që tentonte të shfrytëzonte Shqipërinë për të ikur drejt Italisë

Fitim Demaj, 32 vjeç, banues në Kosovë, është personi i arrestuar natën duke gdhirë dita e sotme në portin e Vlorës, raporton noa.al duke cituar burime nga Policia e Shtetit.

Demaj, kishte arritur të siguronte një dokument identifikimi sikur ishte shtetas i Maqedonisë dhe kishte blerë biletë trageti për të udhëtuar nga Vlora drejt Italisë.

Por Drejtoria Vendore e Policisë Kufitare Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë bërë kapjen e këtij shtetasi pasi nga verifikimet e bëra në zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana rezultoi se Fitim Demaj është shpallur në kërkim nga autoritet policore të Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës, Kosovë, ka lëshuar urdhrin e kërkimit më datë 26.01.2018 kundrejt shtetasit Fitim Demaj, për vendosjen e masës së sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste" sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës në Portin e Vlorës pasi ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë duke përdorur pasaportë të falsifikuar maqedonase të lëshuar në 2018, – tha policia.

Zyrtarisht nuk bëhet e ditur se në çfarë aktivitetesh terroriste është përfshirë Fitim Demaj. /noa.al