Transmetuar më 13-02-2019, 16:23

Një italian në moshë të thyer, i cili akuzohet se ka vjedhur banka në Shqipëri, u ekstradua drejt vendit tonë nga pala italiane, me kërkesë të Interpol Tirana, pasi është dënuar me 7 vite burgim.

Bruno Pomenti, 62 vjeç, banues në Pontinia/Itali, është italiani i ekstraduar sot nga Interpol Tirana përmes aeroportit të Romës, raporton noa.al.

Bruno Pomenti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Elbasan, më 23 korrik 2015, e ka dënuar me 7 vjet burg për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, mbetur në tentativë dhe "Falsifikimi i dokumenteve".

Çfarë ndodhi 7 vjet më parë që italiani mori 7 vjet burgim në mungesë

Në vitin 2012 në filialin e një banke të nivelit të dytë  në Elbasan, Bruno Pomenti ka paraqitur një vërtetim bankar të falsifikuar me një shumë të konsiderueshme në euro në llogarinë e tij.

Pomenti kërkoi të tërhiqte 30 milionë lekë të reja në filialin e bankës “Intesa San Paolo” me dokumente false.

Ai ka deklaruar në bankë se këtë shumë ia kanë dërguar nga Italia të afërmit e tij, duke cituar më tej edhe shkakun se përse i duhej që t’i tërhiqte ato. Duke u nisur nga shuma e madhe e parave, drejtori i bankës e ka drejtuar qytetarin italian në filialin kryesor në Tiranë. Kjo edhe për faktin se pas verifikimeve të kryera nga punonjësit e bankës rezultoi se në numrin e llogarisë së tij gjendeshin vetëm 50 euro dhe nuk figuronte asnjë dërgesë, ashtu siç paraqitej në vërtetimin e tij.

Bruno Pomenti është drejtuar në të njëjtën ditë në bankën qendrore në Tiranë. Pas verifikimeve, banka e ka nisur me postë elektronike vërtetimin pranë filialit në Elbasan, i cili rezultonte i falsifikuar. Tentativa e 56-vjeçarit do të shënonte mashtrimin më të madh në bankat e nivelit të dytë në vend, por qëllimi i tij është pikasur në kohë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se në llogarinë bankare të tij ishin të depozituara vetëm 50 euro.

Sot, 13 shkurt, Policia e Shtetit njoftoi se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i Pomentit në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Por në 2 korrik 2012, Bruno Pomenti, banues në Pontinia, Itali, u arrestua në Rinas, pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit.

Arrestimi erdhi pasi në policinë e këtij qarku kishte bërë kallëzimin penal shtetasi A.Gj., 46 vjeç, me detyrë drejtor i bankës “Intesa San Paolo” në Elbasan.

Denoncimi ishte bërë mbrëmjen e së dielës, ndërsa disa orë më pas, Policia kufitare në Rinas bëri të mundur arrestimin e shtetasit italian, i cili rezultonte në kërkim policor. Kapja e Pomentit u bë nga shërbimet e Komisariatit të pikës kufitare Rinas dhe u dërgua në dhomat e paraburgimit të Elbasanit, pasi akuzohej për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

Pomenti kishte kohë që falsifikonte vërtetime me qëllim që të mashtronte bankat, por sipas Policisë ishte hera e parë që ai kërkonte të tërhiqte nga banka shqiptare një shumë të tillë eurosh.

Në vitin 2011, ai kishte mbërritur në Shqipëri me disa miq të tij shqiptarë dhe kishte depozituar në llogarinë bankare të Tiranës vetëm 50 euro.

Të premten në mesditë, qytetari italian kishte shkuar në Elbasan te disa miq të tij, por motivi i tij ka qenë për të kryer mashtrimin e radhës në bankë.

Pomenti nuk ka pranuar të flasë në Polici rreth rrethanave të këtij mashtrimi. Policia kreu hetimet për të gjetur falsifikatorin e vërtetimit bankar dhe bashkëpunëtorët e qytetarit italian.

Pomenti u la i lirë pas arrestimit në fillim të korrikut 2012 në Rinas dhe para afro dy muajsh u riarrestua në Itali ku dhe sot u ekstradua në Shqipëri. /noa.al/