Transmetuar më 14-02-2019, 09:44
Prokurori Artan Bajrami

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë vendimin për drejtuesin e Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda, Artan Bajrami.

Komisioni komunikoi shkarkimin e tij ditën e sotme, pasi u gjet i papërshtatshëm për vijimin e detyrës.

Gjatë seancës dëgjimore ai u gjet i pastër sa i takon pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Lidhur me pasurinë dyshime u hodhën vetëm për 1.5 milionë lekë të reja për blerjen e një apartamenti prej 6.5 milionë lekësh në Tiranë.

Por prokurori tha se ato para ia kishte marrë baxhanakut borxh, por se nuk i kishte përmendur në deklaratën e pasurisë.

KPK ka kryer një hetim të thelluar për pasuritë: apartament 110 metra katrorë në Tiranë, blerë për 45 mijë dollarë ose 6.5 milionë lekë. Si burim është deklaruar një hua prej 5 milionë lekë dhe të ardhurat nga shitja e banesës në Gramsh për 4 mijë dollarë, si dhe kursimet nga paga. Nga hetimi ka konstatuar mospërputhje ne deklarim për shlyerjen e një kësti të huasë. Gjatë hetimit, subjekti nuk ka deklaruar se pagesa 1.5 milionë lekë është paguar nga baxhanaku.

Apartament banimi në Golem, 55 metra katrore , subjektit iu kërkua shpjegime në lidhje me disa pasaktësi për këtë apartament. Pasuri e paluajtshme pyll dhe kullot, 910 mijë metra katrorë përfituar nga komisioni i kthimit të pronave, subjekti e ka deklaruar si trashëgimi nga babai. Për herë të parë e ka deklaruar në vitin 2014. Rezulton se përputhet deklarimi me dokumentet e tjera. Gjithashtu, rezulton se subjekti nuk e ka deklaruar asnjëherë më parë se viti 2014. /a.y/noa.al