Transmetuar më 14-02-2019, 15:58

Kur na ndajnë edhe dy ditë nga protesta e paralajmëruar nga opozita, më 16 shkurt një reagim ka ardhur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në një postim të shkurtër në rrjetin social Facebook, bëhet me dije se protesta për ndryshime pozitive ka edhe në SHBA, por këshillohen qytetarët dhe politikanët shqiptarë të mos përdorin dhunën.

“E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar për ndryshim pozitiv janë simbole të një shoqërie demokratike të lirë dhe të shëndetshme.

Është një e drejtë që ushtrohet shpesh në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo e drejtë duhet ushtruar paqësisht. Dhuna kundër njerëzve ose pronës është e papranueshme.

Ne iu bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë përfshirë në protestën e së shtunës, dhe të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë, të refuzojnë dhunën dhe të sigurohen që protestat të zhvillohen paqësisht dhe në mënyrë konstruktive”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.