Transmetuar më 15-02-2019, 14:29
Foto arkiv, Lulzim Basha proteste

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagon pak orë pas protestës të thirrur për ditën e nesërme.

Ai thotë se shqiptarët do të vijnë të bashkuar dhe të vendosur nesër në Tiranë.

“16 shkurti është dita kur një popull që është vjedhur, është tradhtuar, është poshtëruar nga një klikë që e varfëron përditë, ngrihet të marrë në dorë fatet e tij si çdo popull Europian. Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, IKIN HAJDUTET NË BURG! Nuk vusn populli!”, shkruan Basha.

Ai shton se përgjegjësia për çdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha “mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj!”

Lideri i demokratëve e mbyll qëndrimin e tij duke thënë se sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar.

Ky reagim vjen pas deklaratës së Policisë së Shtetit se gjatë protestës është planifikuar skenar dhune.

Në një deklaratë më herët Policia e Shtetit tha se është e angazhuar tërësisht për marrjen e masave për mbarëvajtjen e protestës së njoftuar nga subjektet politike të opozitës, për datën 16 shkurt 2019, si një detyrim ligjor dhe i natyrshëm i saj, për mbështetjen e të drejtës së organizmit dhe protestave paqësore të qytetarëve.

Policia e Shtetit bëri me dije se është përballur edhe me disa kërkesa të pamundura të Partisë Demokratike, ku njoftohet synimi për të bllokuar rrugë apo mjedise të caktuara, që janë me rëndësi të veçantë për funksionimin normal të jetës publike në kryeqytet, si dhe për veprimtarinë e pacenuar të disa misioneve të huaja diplomatike.

Ndër të tjera u tha se garantimi i lirisë së veprimtarisë, të lëvizjes dhe të qasjes së papenguar në mjediset e misioneve diplomatike dhe në disa institucione të rëndësishme shtetërore, e bëjnë të pamundur lejimin e protestës së opozitës në rrugën “Ismail Qemali”. Por nga ana e Policisë së Shtetit dhe e autoriteteve vendore policore të Tiranës janë mundësuar mjedise të mjaftueshme si bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, i cili është shfrytëzuar historikisht për qëllime të tilla dhe që ofron hapësira të mjaftueshme edhe për pjesëmarrje masive.

“Përveç deklaratave dhe retorikës së ndezur politike dhe thirrjeve për dhunë, të artikuluara nga disa përfaqësues të politikës dhe medias, Policia e Shtetit ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike.

Në interes të mbarëvajtjes së protestës dhe të sigurisë së pjesëmarrësve në të, dhe të qytetarëve të tjerë, Policia e Shtetit u bëri thirrke organizatorëve, që të distancohen nga zërat që inkurajojnë dhunë, si dhe nga personat me rekorde të rënda kriminale.

Për qytetarët që nuk janë pjesë e protestës bëhet thirrje që të shmangin sa të jetë e mundur mjediset, ku ajo do të zhvillohet. /a.y/noa.al

Protesta e opozitës, policia: Janë përgatitur për dhunë! Thirrja që bën për organizatorët