Transmetuar më 15-02-2019, 14:40

Kryeministri Edi Rama i përgjigjet deklaratave të opozitës lidhur me takimin që është parashikuar të mbahet ditën e nesërme në Vlorë me temë “Bashkia që duam”.

“Na qenkan shqetësuar andej nga Mavroboja për takimin e Vlorës nesër. Presion i madh për t’i sjellë njerëzit në miting thonë. S’është miting o mavri me bojë, po dialogu qytetar bashkia që duam, prandaj mos na bëni reklamë aman të keqen, se i thonë Vlorë dhe s’kemi ku ulim njerëzit”, shkruan Rama.

Ky qëndrim vjen pasi më herët ish-Kryeministri Sali Berisha tha se “Antimitingu i Edvinit në Vlorë, agonia e tij politike!”

Berisha e krahasoi Ramën me Ramiz Alinë në vitin 1991, por tha se demokratët e Vlorës do dinë si ti tregojnë vendin.

“Miq, antimitingu me kakistokratë që po organizon ikanaku në Vlorë, të rikujton skemën e Ramiz Alisë të 22 shkurtit 1991 me vullnetarë të Enverit për të shpallur Republikën e Jugut dhe Vlorën kryeqytet të saj! Demokratet e Vlorës njëlloj si atëherë do dine ti tregojnë vendin që meriton mbatharakut që kërkon të shndërrojë qytetin e tyre në bunker te kalbësirave të Kakistokracisë. Nderim demokratëve të Vlorës dhe popullit të saj!”, shkroi Berisha.

Në vijim duke folur për protestën, kryedemokrati Lulzim Basha tha se shqiptarët do të vijnë të bashkuar dhe të vendosur nesër në Tiranë.

“16 shkurti është dita kur një popull që është vjedhur, është tradhtuar, është poshtëruar nga një klikë që e varfëron përditë, ngrihet të marrë në dorë fatet e tij si çdo popull Europian. Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, IKIN HAJDUTET NË BURG! Nuk vuan populli!”, shkroi Basha.

Ai shton se përgjegjësia për çdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha “mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj!”

Lideri i demokratëve e mbylli qëndrimin e tij duke thënë se sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar. /a.y/noa.al