Transmetuar më 15-02-2019, 16:20
Foto arkiv, Lulzim Basha proteste

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me protestën e nesërme të opozitës në orën 11:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Përmes një postimi në Twitter, Basha thotë se shqiptarët do të vijnë të bashkuar dhe të vendosur nesër për të protestuar kundër kësaj qeverie që ka blerë zgjedhjet dhe korrupsionit të saj.

Kryedemokrati shkruan se në Evropë kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria dhe hajdutët shkojnë në burg.

“Shqiptarët do vijnë të bashkuar dhe të vendosur në 16 shkurt kundër qeverisë që ka blerë zgjedhjet me korrupsionin e saj. Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, ikin hajdutët në burg! Nuk vuan populli”, shkruan Basha.

Ndërkohë që opozita pritet të nisë nesër para Kryeministrisë një protestë pa afat për largimin e qeverisë Rama, detajet e organizmit po mbahen diskret.

Megjithatë është mësuar se protestuesit do të rrethojnë Kryeministrinë, ndërsa në asnjë moment nuk do të ketë fjalime nga politikanët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, drejtues dhe funksionarët e tjerë të opozitës do të jenë në shesh mes protestuesve, por vetëm në rolin e dëgjuesve.

Mënyra se si do të zhvillohet protesta, mbahet diskret ndërsa i vetmi fakt është tentativa e qytetarëve për të rrethuar Kryeministrinë./b.l/noa.al/