Transmetuar më 15-02-2019, 18:27

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, deputeti socialist Arben Ahmetaj ka përgatitur një ndryshim të ri në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar duke kërkuar që TVSH për median në internet të jetë në masën 6%.

“Përmes këtij projektligji, propozohet që shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6%, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, të aplikohet edhe për ofruesit e shërbimit të publikimeve elektronike,” shkruhet në propozimin që u publikua në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

“Ky propozim do të mundësojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues midis ofruesve të shërbimeve audiovizive dhe elektronike,” shkruhet më tej në propozim.

Nëntorin e kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Kuvendi i Shqipërisë ndryshoi thuajse të gjitha ligjet tatimore të vendit, ku ndryshimet më të debatuara u zhvilluan larg vëmendjes së publikut në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Propozimi i Ahmetajt për të ndryshuar një ligj që ai vetë ndihmoi të formulohej vetëm tre muaj më parë, vjen pasi mediat online u gjendën në pasiguri tatimore në fillim të këtij viti pikërisht për shkak se më parë, media konsiderohej e përjashtuar nga TVSH ndërsa në ndihmë të disa televizioneve, qeveria vendosi TVSH në masën 6% për mediat audiovizuale. Kjo do të thotë se televizionet që do të blejnë pajisje për efekt të procesit të dixhitalizimit, do të mund të zbresin nga llogaria e tyre TVSH-në e paguar në blerje duke pasur efekt pozitiv në bilancet e tyre.

Ndryshimet në ligjin e TVSH-së, të realizuara me kompromis mes Erjon Braçes, në atë kohë kreu i komisionit parlamentar të ekonomisë dhe sot zëvendëskryeministër dhe Arben Ahmetajt në atë kohë, ministër Financash dhe Ekonomie.

Projektligji i plotë:

“Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, 83, pika 1, dhe 155, te Kushtetutës, me propozim të një deputeti, Kuvendi i republikës së Shqipërisë vendosi:

Neni 1

Në nenin 49, pika 6, te ligjit nr. 92/2014, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, pas përcaktimit "nga media audiovizive" shtohet përcaktimi "dhe nga ofruesit e shërbimit të publikimeve elektronike".

Neni 2 Ky ligj hyn ne fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

Relacioni i plotë:

Projektligji "Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar ne Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar, propozon qe shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 %, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, të aplikohet edhe për ofruesit e shërbimit të publikimeve elektronike.

Ky propozim do te mundësojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues midis ofruesve të shërbimeve audiovizive dhe elektronike.

Aktualisht media elektronike dhe ofruesit e shërbimit të publikimeve elektronike që operojnë në tregun mediatik, nuk rregullohen nga ligji nr. 92/2014. Për këtë arsye, ndryshimi i propozuar konsiston, në përfshirjen e furnizimit të shërbimit të ofruesve të shërbimit te publikimeve elektronike, ne skemën e shkalles së reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar.

Për sa më sipër, projektligji "Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, "Për tatimin mbi vlerën e shtuar ne Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, propozon që shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 %, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, të aplikohet edhe për ofruesit e shërbimit të publikimeve elektronike. Ligjit nr. 92/2014 "Për tatimin mbi vlerën e shtuar ne Republikën e Shqiperise" i ndryshuar, neni 53, germa j)", deri në datën 31 dhjetor 2018, i trajtonte si fuqizime të përjashtuara nga TVSH-ja, transaksionet pra furnizimin/ shitjen e shërbimit të reklamave nga media elektronike. ‘ …. Në zbatim te parimeve te vendosura permes ligjit nr. 92/2014 "Per tatimin mbi vleren e shtuar ne Republiken e Shqiperise", subjektet qe kryejnë fuqizime te përjashtuara, nuk mund te zbresin TVSH-ne e paguar ne blerjet brenda vendit dhe ne import, ndryshe nga subjektet qe kryejnë fuqizime te tatueshme dhe zbresin TVSH-ne e paguar ne blerje. TVSH-ja e paguar ne blerjet brenda vendit dhe ne import ne kete rast, është kosto për ofruesit e këtyre shërbimeve. Paketa fiskale e miratuar ne vitin 2018, përmes se cilës u miratuan edhe disa ndryshime ne ligjin nr. 92/2014 "Për tatimin mbi vlerën e shtuar ne Republikën e Shqipërisë", te ndryshuar, pati për qellim nder te tjera, lehtësimin e investimeve ne funksion te digjitalizimit te mediave audiovizive (televizionet). Kështu furnizimi i sherbimit te reklamave nga media audiovizive, nuk do te trajtohet me si nje furnizim i perjashtuar, por si furnizim i tatueshem me shkallen e reduktuar te TVSH-se prej 6 per qind.

Per te mundësuar gjithe sa me siper, projektligji "Per nje shtese ne ligjin nr. 92/2014, "Per tatimin mbi vleren e shtuar ne Republiken e Shqiperise", te ndryshuar, propozon, qe ne nenin 49, pika 6 te ligjit nr. 92/2014 "Per tatimin mbi vleren e shtuar ne Republiken e Shqiperise", te ndryshuar, te shtoje edhe përcaktimin "ofruesit e shërbimit te publikimeve elektronike". Kësisoj, do te kemi trajtim te njëjte ne lidhje me furnizimin e shërbimit te reklamave, si nga media audiovizive ashtu dhe nga ofruesit e shërbimit te publikimeve elektronike.

Ndryshime të panumërta ligjore

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar autoriteteve shqiptare në mënyrë të përsëritur të mos bëjnë ndryshime të shpeshta në regjimin fiskal të vendit në mënyrë që të shmangin krijimin e paqartësive te konsumatorët. Megjithatë, qeveria aktuale shqiptare është një kampione e vërtetë për sa i përket numrit të ligjeve fiskale të ndryshuara përgjatë viteve të fundit.

Ndërsa nëntorin e kaluar u ndryshuan ligjet kryesore fiskale të vendit, në janar Ministria e Financave hodhi për diskutim një ndryshim tjetër në ligjin e procedurave tatimore, ku kërkohej imponimi me detyrim për bizneset e vogla të pasjes së një llogarie bankare. Dhe vetëm tre muaj pas ndryshimeve, ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj, ka propozuar një ndryshim tjetër ligjor të TVSH-së, përmes të cilit kërkon tatimin në masën 6% të TVSH-së për reklamat në median në internet.

Që nga viti 2013, Shqipëria ka ndryshuar ligjin Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar tetë herë dhe propozimi i Ahmetajt përbën ndryshimin e nëntë në pesë vjet. Përgjatë të njëjtës periudhe, ligji Për Tatimin mbi të Ardhurat është ndryshuar dhjetë herë ndërsa ligji për procedurat tatimore është ndryshuar tetë herë. Ligji Për Sistemin e Taksave Vendore është ndryshuar gjashtë herë ndërsa Ligji për Taksat Kombëtare është ndryshuar tetë herë.