Transmetuar më 16-02-2019, 09:51

Ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike rreth orës 09.40 kryedemokrati Lulzim Basha, i cili pritet të prijë protestën e sotme të opozitës, bashkë me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Por para se të hynte në selinë blu, kryedemokrati tha shkurt për gazetarët “Asgjë nuk i ndal protestuesit”.

Kujtojmë se në mesazhin e djeshëm lidhur me protestën, Basha tha se 16 shkurti është dita kur një popull që është vjedhur, është tradhtuar, është poshtëruar nga një klikë që e varfëron përditë, ngrihet të marrë në dorë fatet e tij si çdo popull Europian.

“Në Europë ku duam të shkojmë, kur qeveria kapet duke vjedhur, ndëshkohet qeveria, ikin hajdutët në burg! Nuk vuan populli! Përgjegjësia për çdo pengesë që i bëhet të drejtës së shqiptarëve për të protestuar kundër pushtetit të vjedhur me votat e krimit do bjerë e gjitha mbi këtë qeveri hajdute dhe kryehajdutin e saj! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar!”, tha Basha.

Mësohet se gjatë protestës kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi nuk do të mbajnë fjalim.

Ata kanë zgjedhur që të heshtin, ndërkohë që fjalime do të mbajnë vetëm qytetarët që do i bashkohen protestës. Protestuesit do të rrethojnë Kryeministrinë, ku thuhet se qytetarët do të qëndrojnë pa afat në bulevard.

Ndërkohë janë rreth 1300 efektivë policie në gatishmëri për mbarëvajtjen e protestës, me synim parandalimin e çdo incidenti, si dhe efektiv të FNSH dhe RENEA në godinën e Kryeministrisë.

Gjithçka pasi Policia e Shtetit tha se ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestën e datës 16 shkurt 2019, të organizuar nga Partia Demokratike. /a.y/noa.al

Protesta e opozitës, FNSH dhe RENEA “blindojnë” Kryeministrinë

Drejt Tiranës për protestë, mesazhet e zgjedhura nga mbështetësit e opozitës

Zbulohet skenari i protestës së sotme, Basha dhe Kryemadhi nuk do mbajnë fjalë

Të gjithë në këmbë, 1300 efektivë policie në gatishmëri për protestën e opozitës