Transmetuar më 16-02-2019, 13:37

Ajo që nisi si një protestë paqësore, me shpërndarje lulesh drejt efektivëve të policisë, degradoi në konfrontim fizik, plumba gome dhe gaz lotsjellës.

Nëpërmjet fotografive dhe videove mund të shihni përmbledhtaz pamje nga protesta e sotme e opozitës, ku me dhjetëra qytetarë mbetën të lënduar.

Gjithçka pasi protestuesit shpërthyen kordonin e policisë që ruante hyrjen e Kryeministrisë, u ngjitën në skelën mbrojtës dhe e dëmtuan.

Ndërkohë si kundërpërgjigje policia u përgjgij me gaz lotsjellës dhe plumba gome, çka shkaktoi edhe të lënduar në radhët e protestuesve.

Kjo situatë e krijuar ngjalli reagime të shumta, duke u bërë thirrje për të shmangur dhunën.

Protesta, SHBA- BE: Të shmanget dhuna

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e Bashkimit Europian në Tiranë, reagojnë lidhur me protestën e sotme të opozitës, të shoqëruar me dhunë dhe lëndime.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë.

“Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë. Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”, thuhet në deklaratën e kësaj ambasade.

Sakaq ambasadat e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme.

“E drejta e qytetarëve për të shprehur veten përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane”, thuhet në deklaratë.

Thirrja e ministrit të Brendshëm

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagon lidhur me protestën e sotme të opozitës, e cila degradoi në konfrontim fizik dhe hedhjen e gazit lotsjellës.

Lleshaj iu bën thirrje gjithë drejtuesve politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë.

“Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë. Jo dhuna, por arsyeja na afron drejt Europës së vlerave tona!”, shkruan Lleshaj.

Berisha: Rama ka afat deri në darkë për dorëheqjen, ndryshe e pret zvarritja

“Edi Rama ka afat deri në darkë. Uroj që gjer në darkë të japë dorëheqjen. Të mos harrojë që kanë dhe datën e zvarritjes dhe kur vjen puna shqiptarët dinë të zvarrisin. E ka në dorë të vetë. Mos harro sepse duhet të jesh skllav i të gjitha veseve që të mos japësh sot dorëheqjen para këtij cunami të paparë.”

Kështu tha ish-Kryeministri Sali Berisha, gjatë protestës së sotme të opozitës, ku dy herë me radhë u hodh gaz lotsjellës, duke shënuar me dhjetëra protestues të lënduar.

Sipas Berishës, dhuna ishte skenar kryekëput i Edi Ramës dhe se gjithçka ishte e orkestruar që policia të hapte kordonin.

Sipas tij, tiranët kanë fatin e tërheqjes zvarrë sa herë që e meritojnë.

“Kush i hodhi bombat me gaz? Ata i hodhën vetë. Sot qytetarët firmosën historinë. Fundin e kakistokracisë. Edi Ramës i them se më 20 shkurt Ramiz Alia të mori me pizhama e të çoi në Zall Herr, por tani nuk ka kush të çon në bunker por jep dorëheqjen për të mos pasur fatin e Enver Hoxhës”, deklaroi Berisha.

I pyetur nëse opozita do të ngrejë një çadër të dytë proteste, ish-kryeministri deklaroi se “Çadra ishte lule”.

Rama: Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë, politika e dalë boje në Tiranë

Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me situatën e krijuar para Kryeministrisë, gjatë protestës së sotme të opozitës.

Ai ka publikuar dy fotografi, njërën nga aktiviteti i sotëm në Vlorë dhe tjetrën nga protesta e opozitës ku shihet kryedemokrati Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

“SOT – Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë dhe politika e dalë boje në Tiranë”, shkruan Rama.

Paralelisht me protestën e opozitës, Edi Rama ndodhej në Vlorë, në një takim me temë “Bashkia që duam”.

“Dje na bën reklamë dhe për dreq sot erdhët shumë më shumë! Por ne nuk jemi mbledhur këtu sepse të tjerë janë mbledhur gjetkë, por sepse qysh kur kemi marrë votën, kemi deklaruar se do ecim hap pas hapi me njerëzit e zakonshëm”, tha Rama në takimin e Vlorës.

Meta: Vetëpërmbajtje! Të shmanget dhuna

Presidenti Ilir Meta reagon lidhur me tensionin gjatë protestës së opozitës te Kryeministria.

“Duhet vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve e dhunës. Ndërsa qytetarët duhet të protestojnë të lirë, duhet te respektohen institucionet”, deklaron Presidenti.

Basha: Skenar për dhunë! Kryemadhi: Rama këto lotë nënash, ka për ti gabuar

“Ka skenar për të nxitur dhe shkaktuar dhunë, plan për të nxitur dhunën për të drejtuar gishtin më tej te opozita, por kio është e papranueshme”.

Kështu deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha pas tensioneve gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë.

Ai shtoi se Ministri i Brendshëm e di fare mirë që kordoni i policisë ka hapur radhët për të krijuar një skenë të tillë.

“Siç e shikoni rrinë duarkryq sepse kanë një skenar për të nxitur dhe për të stimuluar dhunë. Ka nisur para katër ditësh me deklarata të papërgjegjshme të Policisë, ka vazhduar gjithë mbrëmjen e djeshme, ditën e sotme, gjatë kohës që kanë qarkulluar protestuesit. Dhe tani ndërkohë që protesta filloi plotësisht në mënyrë paqësore dhe s’kam asgjë me efektivët, se efektivët kanë marrë lule nga ne në fillim të protestës”, deklaroi Basha.

Ndërkohë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se policia i provokoi qytetarët duke u lagur me ujë dhe gaz lotsjellës, duke thënë se “Edi Rama këto lotë nënash ka për ti paguar”. /a.y/noa.al

Sërish gaz lotësjellës te Kryeministria, rritet numri i personave të lënduar

Rama ironizon opozitën nga Vlora: Na bën reklamë, ndaj erdhët kaq shumë!

Protesta, Rama sfidon opozitën nga “Sheshi i Flamurit” në Vlorë

Së paku 3 të lënduar nga protesta e opozitës, gaz lotsjellës dhe përplasje fizike

Tensioni gjatë protestës, Meta: Vetëpërmbajtje! Të shmanget dhuna

Tensioni te Kryeministria, Basha: Skenar për dhunë! Kryemadhi: Rama këto lotë nënash, ka për ti gabuar

Protestuesit mësyjnë në Kryeministri, ngrenë flamurin e PD. Ka të lënduar