Transmetuar më 16-02-2019, 21:05

Të paktën për 5 orë me radhë kanë bërë qëndresë protestuesit dhe opozita gjatë ditës së sotme përballë kryeministrisë.

Një pjesë e protestuesve sulmuan derën dhe hyrjen e Kryeministrisë, pavarësisht kundërpërgjigjes së Policisë me gaz lotsjellës.

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në News24, ka komentuar protestën e sotme të opozitës.

Sipas tij, pati një strategji të qeverisë, për të lejuar sulmin ndaj institucionit dhe kjo u dëshmua nga lehtësia me të cilën protestuesit çanë kordonin e policisë.

Sipas Lubonjës nuk mund të quhet vandalizëm ajo ç’ka ndodhi, krahasuar me çfarë u ka bërë kryeministri qytetarëve.

“Po të isha unë, do të kisha hyrë në zyrën e Edi Ramës. Në mënyrë simbolike do t’i kisha nxjerrë pikturat, por edhe koshin e basketbollit se ajo nuk është zyra e tij private. Këtë do e kisha bërë në mënyrë simbolike. Le ta marrë vesh gjithë bota se kush qeveris. Ai e meritonte një goditje simbolike”, ka thënë Lubonja./a.k/noa.al/