Transmetuar më 17-02-2019, 08:29

Rritet numri i shoqëruarve në polici të cilët morën pjesë ditën e djeshme në protestën e opozitës. Ka shkuar në 40 numri i personave të shoqëruar për veprime të dhunshme gjatë protestës së të shtunës në Tiranë.

Mësohet se policia ka qenë në punë gjatë gjithë natës dhe ka kryer shoqërime të shumta edhe në Lezhë, Fier e Durrës. Mësohet se verifikime po kryhen ende.

Mbrëmjen e kaluar policia shoqëroi 20 protestues, disa prej të cilëve u arrestuan me akuzën për dhunimin e ambienteve publike. Nga kamerat e sigurisë disa prej të shoqëruarve kanë rezultuar të jenë pikërisht personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës dhe janë arrestuar.

Mbrëmjen e djeshme, Policia e Tiranës ka shoqëruar edhe ish-drejtorin e policisë bashkiake në kryeqytet, Florenc Hoxha. Shoqërimi i tij është bërë pas kontrollit që uniformat blu kanë ushtruar në banesën e Hoxhës.

Mësohet se Hoxha po hetohet lidhur me protestën e djeshme të opozitës para Kryeministrisë, ku Florenc Hoxha është fotografuar nga shërbimet e policisë në protestë. Policia e Prokuroria po verifikojnë rolin e Florenc Hoxhës në incidentet e ndodhura në protestë.

Shoqërimi dhe ndalimi i protestuesve ka shkaktuar tension e përplasje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe policëve. Deputetët e PD-së kanë kërkuar të takojnë protestuesit brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, por oficerët e policisë i kanë ndaluar.

Protesta e opozitës u mbyll gjatë mesditës së djeshme, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka paralajmëruar një tjetër të enjten e ardhshme./b.l/noa.al/