Transmetuar më 24-02-2019, 13:50

TIRANË, NOA.AL – Kaosi me vendimet dhe ligjet, ndryshimet fiskale dhe disa të tjera, e ka përfshirë kaq dendur këtë qeveri sa njerëzit e bizneset, por edhe institucionet, janë çakërdisur dhe po e pohojnë këtë çdo ditë.

Së fundi, një vendim qeverie i shtyrë disa vite, për të ndaluar importin e makinave që janë prodhuar para dhjetë vitesh, është futur edhe ky në vorbullën e çakërdisje së shqiptarëve, pasi dy ministri të kabinetit të Edi Ramës kanë lajmëruar ndryshimin e tij.

Mediat raportuan se pas kërkesave të tregtarëve të automjeteve, është vendosur që të hapen dyert e importit për të gjithë flotën Euro 4. Për këtë vit, në Shqipëri do të lejohen të bëjnë regjistrimin edhe makinat me moshë 14-vjeçare.

Vendimi i marrë në mbrojtje të mjedisit mësohet se është kërkuar të ndryshohet prej Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku.

Shumë shpejt dy ministrat, ai i Mjedisit Blendi Klosi dhe ajo e Infrastrukturës Belinda Balluku, do të firmosin vendimin e ri i cili do t’i hapë rrugë regjistrimit në Shqipëri makinave të cilat kanë datën e prodhimit në vitin 2005.

Në këtë pikë, lind pyetja? A i ka nën kontroll kryeministri Edi Rama ministrat e tij dhe a është ai në dijeni se si operojnë vartësit e tij?

Mesa duket jo, sepse është anormale, që vetëm pak javë nga hyrja në fuqi e VKM, të bëhet “rikthim në gjendjen fillestare”.

Tregtarët raportohet të jenë takuar me ministrat e Ramës dhe i kanë theksuar se sipas tyre standardi euro 4 nuk ndot mjedisin dhe se i njëjti standard lejohet edhe në shtete të tjera të Bashkimit Europian,

Këtu nuk shtrohet çështja nëse kanë të drejtë tregtarët e makinave apo ministritë përkatëse, por a mund të përballohet një “lumë” i tillë ndryshimesh?

Kjo, shtoji dhe faktin se lindin dyshime se të tilla tërheqje dhe anulime vendimesh, bëhen për interesa të caktuara.

Me një vendimin të marrë në fund të tetorit të 2018-s, Këshilli i Ministrave vendosi që të bllokojë regjistrimin e makinave të reja të cilat janë nën normën Euro 4, me kushtin që viti i prodhimit të ishte jo më i madh se 10 vjetët e fundit.

Kjo bëri që njerëzit, të detyruar nga VKM e shpallur, të dyndeshin që të blinin makina dhe t’i sillnin në Shqipëri para 31 dhjetorit 2018.

Këtë e bënë më së shumti dhe tregtarët e makinave. Ata blenë shumë automjete të vjetra duke kapur kohën. Një sasi shumë më e madhe parash hyri në doganat shqiptare për shkak të prurjeve të shumta të makinave të vjetra në portet e vendit, nga tetori deri në 1 janar.

Ky vendim bëri që mjetet që deri tani lejohen të hyjnë dhe të regjistrohen në Shqipëri të jenë të prodhuara në 2009-ën e më vonë.

Por tregtarët sërish nuk janë të kënaqur. Ata blejnë makina të vjetra me çmime shumë të lira, nga 300 deri 1000 euro në Itali, Zvicër, Gjermani e gjetkë dhe vijnë i shesin në Shqipëri nga 1500 deri 5 mijë euro.

Dogana u ka bllokuar makinat qindra tregtarëve dhe mijëra shqiptarëve, në pritje për zhdoganimin e tyre, mirëpo, duke luajtur me datat e hyrjes të makinave dhe të ligjit dhe duke u thënë blerësve të këtyre makinave që të presin se ligji do të ndryshohet.

E ndërkohë, blerësit detyrohen të paguajnë mijëra lekë çdo ditë për parkim të makinave në dogana dhe për sigurimin e detyrueshëm të tyre.

E gjitha kjo, ka bërë që sërish njerëzit të jenë të hallakatur. Ata pohojnë se tashmë nuk besojnë më ligjet e VKM-të e qeverisë, të cilat ndryshojnë më keq se moti.

Aktualisht në Shqipëri gjenden rreth 300 mijë automjete me 20 vjet vjetërsi prodhimi dhe të regjistruara sipas normës Euro 3.

Po ashtu gjenden mbi 50 mijë makina të regjistruara sipas standardeve Euro 4.

Vetëm një numër i vogël mjetesh, ose rreth 5 për qind, janë makina të viteve të fundit dhe të standardit Euro 5.

Për këtë vit, në Shqipëri do të lejohen të bëjnë regjistrimin edhe makinat me moshë 14-vjeçare duke favorizuar tregtarët e makinave të vjetra dhe duke ndikuar për rrjedhojë në ndotjen e mjedisit.

Një makinë e vjetër ndot 4 herë më shumë se një automjet i ri. Shqipëria renditet në vendet me nivelin më të lartë të ndotjes, madje disa herë më shumë se norma e lejuar prej Bashkimit Evropian. Sipas një raporti të OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), në Shqipëri 50 për qind e ndotjes së mjedisit vjen si shkak i gazrave të automjeteve. /noa.al/