Transmetuar më 01-03-2019, 19:31

Skënder Bruçaj, kreu aktual i Komunitetit Mysliman Shqiptar, është tërhequr nga gara për një mandat të dytë, një ditë para zgjedhjeve.

Pas kësaj lëvizjeje, kandidatët janë Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së prej 10 vitesh, Ylli Gurra, Myfti i Tiranë, Islam Hoxha, Myfti i Kukësit dhe Gramos Blliku, myfti i Lushnjës. Kandidatura e Gëzim Abdishahit, imam i Golemit, ka rënë pasi sipas komisionit nuk plotëson pikën 3 të nenit 26 të statutit.

Nuk dihen shkaqet që e kanë çuar Bruçajn të tërhiqet, ndërsa kujtojmë këtu edhe pakënaqësinë e Turqisë për të.

Mediat Turke shpesh kanë shkruar se Bruçaj ka refuzuar që të ndalojë fondet që vijnë nga Fetullah Gylen, i akuzuar nga Turqia si organizator i grushtit të dështuar të shtetit.

Zgjedhjet për kreun e ri të KMSH-së do të mbahen ditën e nesërme. /k.k/noa.al/