Transmetuar më 06-03-2019, 08:11

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një artikull, ku i bëhet jehonë turizmit në Shqipëri.

“Me këtë artikull të ‘Culture Trip’ që veçon bregdetin e Shqipërisë si një ndër destinacionet më romantike të Ballkanit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Në revistë thuhet se riviera shqiptare ende është e panjohur për të huajt, por me ujin e saj blu, plazhet e pacenuara dhe limanet, është një vend i përkryer për një arratisje romantike e të përballueshme.

“Mënyra më e mirë për të eksploruar është të marrësh me qira një makinë dhe të shëtisësh përgjatë bregut. Kudo që të ndalosh do të ndeshësh një plazh të egër shkëmbor”, thuhet më tej.

Në vijim nënvizohet se vetë Shqipëria është një gur i çmuar për eksploruesit e vërtetë dhe i përshtatshëm për ata çifte që kanë nevojë për diçka më shumë se një plazh dhe një koktej. /a.y/noa.al