Transmetuar më 08-03-2019, 13:31

TIRANË, NOA.AL – Zyrtarët europianë, në mënyrë të përsëritur kanë shprehur këto ditë qëndrime në të cilat thonë se opozita po nxit ushtrim dhune në protestat e saj. duke e marrë të mirëqenë këtë pretendim, ata i bëjnë thirrje krerëve politikë të opozitës që të mos nxisin dhunë.

Edhe sot, u bë një tjetër deklaratë, nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Duke folur nga Shkodra, ai tha se sipas tij, opozita po nxit dhunë te protestuesit.

Soreca e mori të mirëqenë këtë, kur tha edhe se kërkon që t’i jepet fund “nxitjes së dhunës”:

“Nxitja për dhunë është e pafalshme dhe ne presim që protestat në vijim të jenë pa nxitje dhune. Situata është e paprecedentë, kemi folur me te dyja palët. Jemi takuar me qeverinë si dhe opozitën. Opozita po mban qëndrim pa u kthyer pas dhe kjo është për të ardhur keq. Ja kemi thënë disa herë këtë gjë, por pa sukses. Kjo ndikon në integrimin e Shqipërisë”, – u shpreh Soreca.

Kjo deklaratë e sotmja është përballur sërish me heshtje nga lideri i opozitës Lulzim Basha. Ai në mënyrë të përsëritur thotë se nuk i komenton deklaratat e ndërkombëtarëve.

Megjithatë, NOA.al kërkoi një qëndrim nga Partia Demokratike dhe burime zyrtare të saj, u përgjigjën duke thënë se “PD kundërshton çdo ide apo nxitje dhune”.

Sipas të njëjtave burime zyrtare nga PD, nisur nga fakti që po spekulohet duke u “shitur” si fakt i mirëqenë se opozita po nxit dhunë, “lidershipi i PD po injoron deklarata të tilla pavarësisht se kush i thotë”.

Në protestat e zhvilluara javët e fundit pranë Kryeministrisë dhe Parlamentit, ka pasur incidente nga një pjesë e vogël protestuesish të cilët kanë dëmtuar fasadën e selisë qeveritare.

Policia dhe Garda janë kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës në sasi të mëdha duke lënduar edhe protestues që nuk ishin të përfshirë në akte dhune, si dhe punonjës të medias dhe forca policore në krye të detyrës.

Kreu demokrat Basha është distancuar nga këto incidente të dhunshme.

Për më tepër, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur autoriteteve policore që të ndalojnë individët e përfshirë në incidente të dhunshme, duke kërkuar që t’i jepet fund përgjithësimit. /a.b/noa.al/