Transmetuar më 19-03-2019, 15:46

Sfida Kastrioti-Tirana nuk ka fund, këtë herë është klubi bardheblu që reagon me një deklaratë të fortë, ku në qendër të tyre është gjyqtari i takimit Olsi Sokoli.

Skuadra bardheblu ka reaguar ashpër ndaj gjykimit skandaloz të gjyqtarit, Olsi Sokoli në ndeshjen mes Kastriotit dhe Tiranës, i luajtur të dielën 17 marsit.

REAGIM

Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër gjykimin skandaloz ne ndeshjen Kastrioti – Tirana. Përgjatë 90 minutave të ndeshjes, gjyqtari Olsi Sokoli ka vendosur të ndikojë në rezultatin final të ndeshjes. Fillimisht ka provokuar me shprehje raciste futbollistin Michael Ngoo e më tej ka dëmtuar skuadrën me vendimet arbitrare.

KF Tirana nuk është nxituar të dalë në konkluzione, por ka pritur për të ndjekur reagimet e të gjithë aktorëve dhe faktorëve brenda e jashtë fushave të lojës si dhe analizuar pamjet filmike për gjithçka ka ndodhur. Gjyqtari Olsi Sokoli, ka vepruar i vetëm, pa dëgjuar asistentet e tij, që në disa momente vendimtare të ndeshjes i kanë kërkuar të marrë vendime të drejta, tërësisht të ndryshme nga çfarë ai ka vendosur.

Fjalori me të cilin gjyqtari ka provokuar lojtarët e Tiranës dhe stafin teknik, janë një tjetër argument që bëjnë klubin të kërkojë një dënim radikal nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe specifikisht nga Sektori i Arbitrimit.

KF Tirana kërkon përjashtimin nga futbolli të gjyqtarit Olsi Sokoli për një gjykim të paprecedent, komunikim ofendues dhe përdorimin e shprehjeve raciste kundrejt lojtarëve të Tiranës.

Gjithashtu ftojmë publikisht Shoqatën e Arbitrave, të reagojë kundrejt dhunës që në këtë rast ushtroi një gjyqtar futbolli përballë 11 futbollistëve, stafit teknik, stafit drejtues dhe të gjithë tifozëve bardheblu.