Transmetuar më 20-03-2019, 09:18

Për shkak të problematikave që shfaqi skema e re shpërndarjes së ndihmës ekonomike, ku mijëra familje të varfra u përjashtuan nga përfitimi për shkak se ishin të paafta të plotësonin dokumentacionin e komplikuar, Ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar ligjin për Mbrojtjen Sociale me qëllim thjeshtimin e procedurave dhe forcimin e masave shtrënguese për ata që refuzojnë ofertat e zyrës së punës.

Projektligji i cili është ende në fazën e konsultimit pritet të miratohet në Kuvend këtë vit dhe parashikon që të garantojë mbështetje për familjet dhe individët në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara social ekonomike.

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e ndihmës ekonomike, kanë të bëjnë me:

1-Administrimin dhe funksionimin e një skeme të përmirësuar të ndihmës ekonomike;

2-Thjeshtimin e procedurave të panevojshme për shkak të riorganizimit të skemës, të cilat janë bërë pengesë për mospërfitimin në kohë të ndihmës ekonomike;

3-Nxitjen e punësimit dhe përfshirjen e personave në moshë aktive pune përfitues të ndihmës ekonomike në programet aktive të punësimit dhe formimit profesional;

4-Mosrefuzimin e ofertave të përshtatshme të punës nga zyrat e punës;

5-Forcimin e masave shtrënguese në rastet e refuzimit apo largimit nga puna, me synimin për të shmangur sigurimin e të ardhurave në mënyrë alternative (informale);

6- Përjashtimin nga detyrimi i paraqitjes në zyrat e punës për tu regjistruar si punëkërkues të papunë të anëtarëve të familjeve në zonat rurale që zotërojnë ose jo tokë bujqësore në pronësi/përdorim, apo familjeve që kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç;

7- Menaxhim dhe kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve të ndihmës ekonomike dhe shmangien e abuzivitetit.

Objektivat që synohen të arrihen në lidhje me programin e aftësisë së kufizuar, kanë të bëjnë me:

1-Përcaktimin e të drejtës së përfitimit të pagesave të personave me aftësi të kufizuar dhe të së drejtës së përfitimit të një ndihmësi personal;

2-Trajtimin e barabartë të të gjitha grupeve të aftësisë së kufizuar;

3-Heqjen e kufizimit për shkak të punësimit, duke garantuar që ky përfitim të mos ndërpritet në rast punësimi, por ti shërbejë personit m,e aftësi të kufizuar për tu integruar plotësisht në jetën shoqërore;

4-Thjeshtimin e procedurave të panevojshme për përfitimin e pagesave të aftësisë së kufizuar (heqjen e vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak), dhe dhënien e këtij përfitimi bazuar në vendimin e autoritetit përgjegjës për përcaktimin e kësaj të drejte.

Projektakti përcakton mënyrën e financimit të programeve së mbrojtjes sociale, kontrollin e përdorimit të fondeve, sanksionet në raste të konstatimit të shkeljeve dhe procedurën e ankimimit për qytetarët duke ezauruar të gjitha shkallët e animimit, shkruan ‘monitor’.

Parashikohet që formula e unifikuar e pikëzimit të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në vartësi të nivelit të varfërisë në vend. Ky nen përcakton që të drejtën e tërheqjes së ndihmës ekonomike në familje e ka gruaja. Procedura më e detajuar do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Procedura e vlerësimit bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar e cila do të detajohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në nenin 30 dispozita kalimtare për përdorimin e regjistrit elektronik kombëtar të të dhënave për aplikuesit dhe përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar në njësitë e vetëqeverisjes vendore, ku po zbatohet modeli i vlerësimit bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar.