Transmetuar më 20-03-2019, 11:21

Një person është shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Jurgen Kurtit në Tiranë, në orët e vona të mbrëmjes së kësaj hëne.

I shpalluri në kërkim është djali i Agim Arapit, i cili humbi jetën si pasojë e dhunës në vitin 2017, krim për të cilin ishte akuzuar edhe viktima Kurti.

Mësohet se në kërkim është shpallur Dervis Arapi, për të cilin po punohet për ta kapur.

Mirëpo nëna e të riut të shpallur në kërkim, Vjollca Arapi mohon që fëmijët apo të afërmit e saj të kenë gisht në vrajen e 26-vjeçarit. Pas shpalljes së të birit në kërkim ajo ka reaguar për mediat, duke kërkuar që policia ta gjejë tjetërkund autorin e vrasjes së të riut.

Jurgen Kurti njihej si biznesmen, menaxher i VIP-ave dhe ish-model. Nga hetimet lidhur me vrasjen, dyshohet se dy persona i kanë bërë pritë poshtë pallatit të tij, në rrugën “Zef Jubani”, mbas postës nr.8, teksa mendohet se e kanë mbajtur nën vëzhgim.

26-vjeçari u qëllua me armë pak pas orës 22.00  të 18 marsit, duke mbetur i vdekur në vend.

Kujtojmë se Jurgeni nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, madje ai është ndaluar dy herë nga policia, për dy vrasje të ndryshme, njëra ajo e të atit.

Më konkretisht në vitin 2016, ai së bashku me dajën e tij Leonard Ristani, u arrestuan për vrasjen e babait, Artur Kurti. Mirëpo në vijim të hetimeve edhe për shkak se daja mori përsipër fajësinë, i riu u lirua.

Ndërkohë në vitin 2017, ai u ndalua në vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Jurgeni u akuzua se bashkë me vjehrrin e tij Konstandin Ekonomi dhe vëllanë e këtij të fundit Kujtim Ekonomi, pas konfliktit me Arapin për motive pronësie, ky i fundit mbeti i vrarë.

Mirëpo, pamjet filmike treguan se Jurgeni nuk kishte gisht, duke bërë që të lirohej. /a.y/noa.al