Transmetuar më 20-03-2019, 15:49

Grumbullimi i kombëtares së Shqipërisë në prag të dy sfidave të para në eliminatoret e Euro 2020 kundër Turqisë dhe Andorrës rrezikon të kthehet në një makth të vërtetë.

Armado Sadiku alarmon skuadrën kuqezi dhe shton dhimbjen e kokës për Kristian Panuçin. Sulmuesi ka lënë përgjysmë seancën stërvitore për shkak të një problemi muskulor.

I kthyer pas një dëmtimi të gjatë, Sadiku shihej si një zgjidhje për repartin ofensiv, por aktivizimi i tij në sfidën e së premtes është në dyshim.

Priten teste të tjera për të mësuar shkallën e problemit fizik. Sulmuesi nisi seancën stërvitore me ushtrimet e nxehjes si dhe bëri disa vrapime rreth fushës, por më pas u tërhoq nga pjesa tjetër e skuadrës që vijoi normalisht përgatitjet.

Mungesa e Sadikut do të ishte një goditje e madhe për kombëtaren shqiptare, pasi Panuçit i mbetet vetëm Bekim Balaj si alternativë në vijën e parë të sulmit. Por edhe futbollisti shkodran nuk është në formën e tij më të mirë.