Transmetuar më 23-03-2019, 07:57

Dyqanet që shesin bizhuteri me diamante dhe gurë të tjerë të çmuar janë në rritje në Shqipëri dhe specialistët bien dakord se kjo mund të quhet vërtet ‘epoka e diamanteve’. Sipas aktorëve të tregut, kërkesa për të blerë bizhuteri luksi është rritur ndjeshëm. Megjithatë, dëshira për të blerë dhe fuqia blerëse nuk kanë ecur paralelisht me njëra-tjetrën. INSTAT raporton për rritje të importeve të gurëve të çmuar dy vitet e fundit, ndërsa argjendarët pohojnë se kanë tashmë një gamë të gjerë të bizhuterive të luksit, ku kryeson diamanti…

Pavarësisht se jeton mes tyre, ajo nuk është e “dehur” nga magjia që ato kanë. I prek çdo ditë, por rrallë mban një të tillë në dorë. Alba Ruço nuk është nga ato vajzat e veshura në diamante, por që qëndron gjithë kohës mes tyre. E ndërsa mban në dorë një nga ato lupat që kemi parë në filma nga ekspertët e gurëve të çmuar, tregon se në përvojën e saj shumëvjeçare në këtë fushë, nuk ka parë kurrë në argjendari dy gurë të çmuar njësoj. Bie dakord ta kurorëzojë “diamantin” si mbretin e gurëve të çmuar, megjithatë teksa flet për tendencat e blerjeve në Shqipëri, Alba, pinjollja e cila vijon traditën e familjes Ruço si argjendarë shqiptarë, rendit edhe gurët e tjerë të çmuar.

Mjaftonte një dorë, pesë gishta dhe plot 10 mijë euro bizhuteri… Në Shqipëri ka evoluar dëshira për të bukurën dhe luksin, ndonëse aktorët kryesorë të tregut pohojnë se bëhet fjalë për një treg të vogël sa i përket fuqisë blerëse.

Treg në zgjerim

Njëzet minuta në një nga dyqanet e kryeqytetit do të mjaftonin për t’i mbushur mendjen vetes se nuk do të dilnit prej andej pa bërë tuajën një unazë me një gur mikroskopik, por ‘të kripur’ në çmim. Jo më shumë se 30 vjeç, një vajzë del nga një argjendari në zemër të Tiranës me një unazë diamanti në gisht.

Por, zgjerimi i tregut nuk vjen pa problematika. Duke parë “maninë” për blerje bizhuterish me gurë të çmuar, ka jo pak raste që mashtrojnë me cilësinë. Drejtuesit e argjendarive në kryeqytet tregojnë se edhe tregu informal i krijon probleme në këtë treg, duke qenë se blihen me një çmim të ulët bizhuteri që reklamohen me gurë “të çmuar”, origjina dhe cilësia e të cilëve nuk verifikohet.

Duke dashur të japë një parashikim për vijimësinë e tregtimit të diamanteve dhe stolive të tjera të çmuara në Shqipëri, Marseli thotë se për 10 vjet, ky treg eci me hapa shumë të ngadaltë në këtë drejtim, për shkak të problemeve në shoqëri dhe fuqisë së dobët blerëse.

Duke mos pasur njohuri, shqiptarët gënjehen dhe blejnë këto produkte të paafirmuara. Së treti, në Shqipëri mungon një bursë e mirëfilltë për diamantin. Duke mos ekzistuar, diamanti blihet në treg të zi. Argjendarët e vjetër në Tiranë, sikurse edhe unë, kemi studiuar jashtë për të njohur dhe për të certifikuar cilësinë e diamantit, në mënyrë që të jemi korrekt me çmimin e blerjes dhe me garancitë që do të japim për atë lloj produkti. Sfida është që punojmë në një treg të parregulluar strukturalisht. Kjo na sjell vështirësi”, – thotë z. Shaho.

Ai shton që tregu i floririt në përgjithësi, ndonëse janë shtuar shumë aktorët, ka segmentimet e veta. Në rastin konkret, z. Shaho pohon se në punishten e tij punohet me flori 18 karat dhe më lart, prania vetëm e gurëve të çmuar, duke u orientuar te klientët më të kamur. “Këtë lloj klientele kërkojmë që të kemi, para 10 viteve hoqëm dorë nga produkte 300 euro dhe me çmimi më të ulët. Besoj se pas 10 vitesh do të kemi një tjetër strukturim. Një pjesë e mirë e klientëve, shpesh nxiten që t’i blejnë vetë jashtë produktet, megjithatë klientët besnikë rikthehen në çdo kohë”- thotë ai.

Importet në rritje

Italia përbën 73% të totalit të diamanteve të importuara në Shqipëri. Fqinji ynë përtej Adriatikut është partneri kryesor tregtar për këtë kategori produktesh, e njëjta tendencë si për floririn apo platinin, metalet e çmuara. Sipas shifrave të analizuara të INSTAT, në 2018 është rritur importi i gurëve të çmuar në Shqipëri. Shifrat tregojnë për një rritje të ndjeshme me rreth 3%, për 11-mujorin 2018.

Për këtë periudhë, vlera e importuar ka arritur 1.5 mld lekë, ndërsa gjatë vitit 2017 vlera ka qenë rreth 630 mln lekë. Për këtë rritje të vlerës së importeve, edhe argjendarët në kryeqytet dëshmojnë që kërkesat kanë qenë më të larta vitin e shkuar dhe parashikojnë një tjetër vit të mirë në blerjet e bizhuterive me gurë të çmuar. Sipas tyre, ka bizhuteri me vlera të ndryshme për të gjithë ata që kërkojnë të blejnë një të tillë, duke kurorëzuar diamantin si më të shtrenjtin në mesin e tyre.

Në shtetet kryesore nga ku importojmë kategorinë e gurëve të çmuar, pas Italisë, vjen Kina, Gjermania dhe Zvicra, ndjekur nga Vietnami, Greqia dhe Belgjika.

Gurët e çmuar që tregtohen edhe në Shqipëri, sipas vendeve të origjinës:

Smeraldet: Egjipt, Austri, Afganistan, Brazil etj.

Safirët: Sri Lanka, Tajlandë, Australi dhe Kamboxhia

Akuamarinë: Brazil, Zambia, Mozambik, Angola, Nigeri, Afganistan

Rubinë: Mianmar

Diamante: Kanada, Amerika e Jugut, Afrika e Jugut dhe ajo Lindore, Indi, Rusi, Australi, Azia Lindore etj.

Problematika

Tregtarët e vegjël pohojnë se për të ndjekur këtë tendencë të viteve të fundit, punojnë edhe me gurë imitacion të origjinalëve. Sipas tyre, gurët e unazave zakonisht janë gurë zirkon, imitacione brilantesh, akuamarinë, smerald dhe zafir. Edhe pse në 10 vitet e fundit kanë nisur të shiten gurë të çmuar dhe diamante, tregu në Shqipëri është shumë i vogël, pohojnë disa nga tregtarët e vegjël për “Monitor”.

Ata shtojnë, që ka më tepër kërkesa për blerje gurësh të çmuar ose bizhuterive të formuara me to, në raste festash ose në verë, megjithatë, këta blerës përbëjnë një përqindje shumë të vogël krahas totalit. Guri më i kërkuar është akuamarina. Ndaj në dyqane të vogla të lagjeve të kryeqytetit, tregtarët pohojnë se kanë unaza me gurë që u ngjajnë gurëve të çmuar, për të cilat ata i vënë në dijeni blerësit, të cilët duan të blejnë diçka të bukur, me pak para. Unazat më të shitura në argjendaritë e kryeqytetit, janë ato me gur akuamarinë, si dhe varëset me gurë të vegjël.

Një unazë me gurë akuamarinë, kushton rreth 700 euro, ndërsa me imitim guri te 20 mijë lekë, në një unazë floriri 14 karat. Megjithatë, çmimi varet nga madhësia e gurit dhe pastërtia e tij. Në lidhje me kërkesat për unaza me gurë të çmuar, pronarët e argjendarive thonë se “i kanë të paktë klientët, pasi dhe ata që kanë mundësi t’i blejnë këto bizhuteri parapëlqejnë t’i blejnë nëpër udhëtime jashtë shtetit”. Në Shqipëri ekzistojnë dy lloje bizhuterish, ato që punohen e prodhohen në vend, si dhe bizhuteri të gatshme që vijnë nga vende si Italia, Greqia apo Turqia.

“Vitet e fundit, në të gjithë botën ka pasur një tendencë për të blerë gurë të çmuar, gjë që është vënë re dhe në vendin tonë”, thotë një argjendar në Bllok. Një unazë e thjeshtë me gurë diamanti kushton minimumi 1,000 euro në ditët e sotme.

Tregtarët e vegjël pohojnë se diversifikimi i produkteve është diçka që ata përpiqen ta bëjnë prej vitesh, duke ofruar edhe stoli me gurë imitacion apo edhe produkte floriri me karat të ulët, për t’i dhënë mundësi çdo kategorie njerëzish që të blejnë. Ata ‘ankohen’ se tatimet dhe taksat janë të larta, qiratë e dyqanit gjithashtu, si dhe një kategori bizhuterish, kineze, të cilat e dëmtojnë tregtinë e tyre.

Marketingu në rrjetet sociale

Nga vëzhgimi i “Monitor” është vënë re se argjendaritë shqiptare i kanë klientët vizitorë të rrallë dhe vetë argjendarët pohojnë se punojnë më tepër online. Por, jo në shitje direkte, por në reklamim të mëparshëm. Sipas tyre, Instagram-i është forma më e mirë e marketimit të produkteve të tyre.

Ata thonë se ky rrjet social përdoret masivisht në Shqipëri, nga grupmosha 25-35 vjeç, që është potenciale e ardhshme për të blerë (në rastin konkret për t’u martuar). Sipas argjendarive të kontaktuara, ata kanë një punonjës specifik që kujdeset për Instagram-in dhe paraqitjen e stolive të tyre, marrjen e kërkesave, dhënien e informacioneve dhe organizimin e fushatave të marketingut për këto produkte. Sipas tyre, është forma më e mirë e marketingut momentalisht dhe në vitin 2018 rezultoi e suksesshme, sidomos në shpërndarjen e përshtypjeve pozitive. Një formë tjetër që ata ndjekin është marketingu nëpërmjet një personazhi publik. Drejtuesit e argjendarive pohojnë se shqiptarët “ndikohen” kur i shohin një VIP të caktuar një bizhuteri dhe shpesh, kërkojnë nga argjendaria të njëjtin model ose gur./Monitor/.