Postimi në FB i kushton postin zv/ministres serbe në Kosovë
Transmetuar më 26-03-2019, 00:33

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e liroi nga detyra zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, e cila vjen nga radhët e subjektit politik Lista Serbe.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky vendim u mor pasi Mikiq deklaroi se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Sipas kryeministrit Haradinaj, deklarimet e tilla janë “të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes”.

Vendimi i Kryeministrit Haradinaj pasoi vlerësimin që Zv. Ministrja Mikiç kishte bërë një ditë më parë lidhur me njëzet vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.

Ajo shkroi në rrjetet sociale se ”para njëzet vitesh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.

Zonja Mikiç tha se “edhe pas njëzet viteve, Serbia përballet me trysni të tejskajshme për të njohur pavarësinë e vetëshpallur brenda territorit të saj”.